AKTUALITET, 27 Nëntor 2025, 22:16

Gjykata e Lartë la Ilir Metën në burg, avokati Cakrani: E prisnim, po bëjmë procedurën, sepse do ta çojmë në Strasburg

Gjykata e Lartë la Ilir Metën në burg, avokati Cakrani: E

Avokati Kujtim Cakrani, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, komentoi vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë që rrëzoi rekursin e paraqitur nga ish-presidenti Ilir Meta, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Cakrani tha se e priste këtë vendim, por si mbrojtës të ish-presidentit po bëjnë procedurën për të ezauruar të gjitha shkallët e gjyqësorit në Shqipëri për të dërguar çështjen në Gjykatën e Strasburgut.

“Nuk është e prisim diçka nga Gjykata e Lartë, madje, unë datën 21 apo 22 paraqita një kërkesë për përjashtimin nga kjo çështje të relatorit, zotit Ilir Panda, pasi ai është më papajtueshmëri me çështje, sepse dikur zoti Meta atë ka shkarkuar nga ministër, kur ka qenë kryeministër dhe ka patur konflikte të mbartura.

Dhe kjo ishte arsyeja që unë, duke marrë edhe fletoren zyrtare të kohës, i kërkova që ai do të largohej si relator i çështjes.

Nuk u pranua kërkesa jonë, u rrëzua dhe sot, ashtu siç dhe ju jeni në dijeni, u gjykua kjo çështje. Më saktë u kaloi kështu, sepse nuk besoj se në dhomë këshillimi këta i shikojnë dhe i lexojnë apo analizojnë rekursin dhe padyshim që nuk thoshte ne prisnim diçka ndryshe nga kjo.

Ne po bëjmë procedurën sepse na duhet për të shkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Kështu që zoti Meta është i qartë për çfarë po kërkon. Nga gjykatat shqiptare, ne po kryejmë procedurën. Kjo është gjë që na intereson. Ne sot e arritëm dhe kështu që vazhdojmë betejën tonë.

Zoti Meta e di shumë mirë që kjo është një çështje politike dhe si e tillë është në betejë, dhe ai është në betejë politike. Pa dyshim, unë jam në betejë juridike. Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet tona, po i pasqyrojmë gjykatave që kjo çështje është e montuar dhe nuk ka fare, po fare, fakt penal. Gjithsesi, ne jemi në Gjykatën Kushtetuese për kërkesën e parë të të ligjshmërisë së arrestimit edhe të masës së arrestit. Gjykata kushtetuese na ka kaluar në seancën plenare. Na ka lënë datën 9 dhjetor si data e fundit për të paraqitur prova dhe shkresore, edhe kështu me radhë dhe besojmë se brenda muajit dhjetor, ne do kemi një vendimmarrje nga Gjykata Kushtetuese.

Nëse nuk do të ketë një vendimmarrje ashtu siç ne presim në fakt, do t'i drejtohemi Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Ne nuk po kërkojmë diçka antikushtetuese ose antiligjore, ne po kërkojmë thjesht një zëvendësimin e masës së sigurimit që zoti Meta të vazhdojë procesin gjyqësor në gjëndje të lirë, pra në një masë tjetër në ato që parashikohet në kodin e procedurës.

Është e papranueshme dhe pa precedentë sot në Evropë që të gjesh një rast të dytë si zoti Meta që të akuzohesh për vepra penale që kanë ndodhur 18-20 vite më parë dhe të arrish të qëndrosh me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Për presidentin Meta është një persekutim politik dhe kjo s'ka më asnjë dyshim tashmë nga të gjitha analizat që ne kemi bërë, qoftë këtë nga pikëpamja e dosjes penale, por edhe sjellja që kanë treguar gjyqtarët dhe prokurorët specialë" - tha avokati Cakrani.