AKTUALITET, 19 Maj 2023, 16:13

Shkelje e fshehtësisë së votës, korrupsion, kanosje apo përdorim i funksionit publik/ 31 kallëzime për krime zgjedhore, nën hetim 18 raste

Shkelje e fshehtësisë së votës, korrupsion, kanosje apo

Plot 25 persona janë nën hetim dhe 31 kallëzime janë bërë gjatë fushatës dhe procesit zgjedhor të 14 majit. 

18 hetime janë regjistruar nga prokuroritë në të gjithë vendin për krime zgjedhore të lidhura me fushatën dhe zgjedhjet vendore të 14 Majit, nga 31 kallëzime të dorëzuara në total, deri në datën 18 Maj.

Pjesa tjetër e kallëzimeve janë ende në verifikim nga Prokuroritë, ndërkohë 9 nga kallëzimet u dorëzuan nga subjektet politike dhe 22, u referuan nga Policia e Shtetit.

Të dhënat zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme tregojnë se këto zgjedhje u karakterizuan nga shkelje si dëmtimi i materialeve zgjedhore, shkelja e fshehtësisë së votës, korrupsioni, kanosja e votuesve, apo edhe përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike.

Deri më tani nën hetim janë marrë 25 persona pa masë sigurimi dhe janë vënë në pranga 6 të tjerë prej të cilëve 2 në Sarandë, 2 në Tiranë, 2 në Vlorë.

Gjithashtu, prokuroritë e rretheve kanë kaluar për kompetencë hetimi në Prokurorinë e 3 procedime penale, 2 nga Prokuroria Berat dhe 1 nga Prokuroria Vlorë, pasi ka rezultuar se personat e kallëzuar janë përfshirë në korrupsion zgjedhor.

Ndërkohë, sipas të dhënave, rezulton se Elbasani ka numrin më të lartë të kallëzimeve dhe të hetimeve për krime zgjedhore.