AKTUALITET, 10 Nëntor 2023, 12:20

Sherri fizik me deputetin Sula në Kryesinë e Kuvendit, Kreshnik Çollaku nuk përjashton kallëzimin në SPAK

Sherri fizik me deputetin Sula në Kryesinë e Kuvendit, Kreshnik
Momente nga sherri

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku ka raguar pas përplasjes fizike që pati me deputetin demokrat Dashnor Sula në ambientet e Kuvendit. Ai e cilësoi përplasjen si një incident të turpshëm duke deklaruar se ngjarja e sotme turpëron çdo deputet të parlamentit.

"As në ’97-ën e tmerrshme kurrë nuk do e kisha imagjinuar që mund të gjendesha në situatë të ngjashme me atë që u ndodha sot. Unë kam marrë pjesë në një mbledhje të komisionit që drejtohet nga opozita nga kryetarja Jorida Tabaku, i ftuar nga kjo e fundit. Shkova të marr pjesë në mbledhje, u gjenda në sallë me një situatë surprizë. U ballafaqova me një ngjarje e cila më turpëron si qytetar i këtij vendi, si anëtar i PD, si deputet. Në një sulm të pakuptueshëm verbal që pastaj përfundoi me goditje fizike, një ish-kolegu im realizoi një skenë që turpëron çdo deputet të këtij parlamenti. Unë e kuptoj se ka një vullnet për të heshtur opozitën, ka një aleancë për të heshtur siç ndodhi në seancën për rezolutën e Kosovës. Shqetësimi im është sesi mund të degradojë deri në këtë nivel jeta parlamentare. Kushdo duhet të ndihet i fyer nga kjo skenë pasojë e së cilës rashë viktimë unë”- u shpreh mes të tjerash Çollaku.

I pyetur nëse do të kallëzojë në SPAK Dashnor Sulën pas asaj që ndodhi, por edhe paralajmërimit të tij gjatë sherrit se do të bënte kallëzim penal ndaj tij, Çollaku u shpreh se avokatët e tij po vlerësojnë rastin.

Sipas tij nuk përjashtohet mundësia e një kallëzimi të Sulës në SPAK lidhur me atë që ndodhi.

A do e kallëzoni në SPAK zotin Sula? 

Çollaku: Juristët e mi po vlerësojnë rastin për kallëzimin, nuk përjashtohet si mundësi.