AKTUALITET, 9 Nëntor 2023, 22:29

"Nuk jemi nga ata që varemi te dyert e ambasadave!"/ Arlind Qori: Nuk presim që të na e hapin rrugën SPAK-u dhe ambasadat

"Nuk jemi nga ata që varemi te dyert e ambasadave!"/ Arlind Qori:

Arlind Qori, ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ku u fol për hetimet e fundit të SPAK ndaj zyrtarëve dhe u diskutua nëse SPAK mund të ndryshojë Shqipërinë me këto hetime dhe goditje ndaj politikanëve. 

Qori deklaroi se ai dhe "Lëvizja Bashkë" që drejton, nuk presin që rrugën e tyre për ndryshimin e politikës dhe vendit, ta hapin të tjerët, siç ndodh me disa politikanë të rinj, që "varen te dyert e SPAK dhe ambasadave". 

"Nëse SPAK-u ka për qëllim ndërrimin e elitave, ka një gjë që nuk shkon sepse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, gjyqësorit i jep kompetenca gjyqësori dhe jo politike. Qëndrimi im dhe i “Lëvizjes Bashkë”, ne nuk duam favore nga askush, ne duam ta përmbysim elitën politike, por as duam dhe as presim që dikush tjetër të bëjë punën për ne.

Nuk duam të jemi si ata arbitrat që nxjerrin shtatë lojtarë të ekipit kundërshtar me karton të kuq, që ti të fitosh ndeshjen. Nuk do të më shihni as mua, as “Lëvizjesn Bashkë” që të varemi te dyer te SPAK-ut dhe të themi, na ndihmoni ore amani! Apo të varemi në dyert e ambasadave dhe t’u themi, aman na hiqni këta që të vijmë ne. Nuk është kjo qasja jonë, sepse ne besojmë te demokracia, te populli.

Le të marrim skenarin më optimist që SPAK do të hetojë 6-7 apo 10 politikanët më të rrezikshëm dhe do t’i fusë në burg. Kjo nuk mjafton që në Shqipëri të ndryshojnë gjërat dhe që forca të reja, vetëm prej faktit të SPAK-u po e bën këtë punë, të ecin përpara.

Se ja iku Ilir Meta, iku Edi Rama, iku Sali Berisha, një zëvendës i tyre nga rreshti i dytë dhe i tretë do të marrë partinë. Nuk ta jep njeri postin e deputetit me duart e të tjerëve. Bëjeni ju punën se pastaj do të më emëroni ju mua...

Unë jam përditë me qytetarët dhe vë re, me shqetësiom një qasje që buron nga dëshpërimi, ndjenja e pafuqisë dhe me radhë. Flas për qytetarë që thonë, bravo, bravo, vazhdoni kështu dhe thonë, do të të jap votën, por mos kërko më shumë. Dhe unë i them nuk mjafton vota për të sjellë ndryshimin, se sa të arrijmë te vota, duhet të bëjmë shumë veprimtari të tjera, protesta, aksione dhe gjithçka tjetër.

Ju si qytetarë duhet ta hidhni një hap një çikë më tepër. Unë e kuptoj se njerëzit kanë frikë, por nuk do të ndryshojë Shqipëria nëse njerëzit që e konsiderojnë veten të ndershëm dhe e duan ndryshimin, nuk do të bëjnë një hap. Pra nuk mund të thuash, vazhdo ti se je mirë. Unë do të vazhdoj, murit me kokë do t’i bie, por nuk mjafton që të vazhdojnë disa përpara. Duhet që qytetarët të bashkohen", tha Qori.