TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Për analistin Neritan Sejamini, marrëveshja mes kryeministrit Rama dhe asaj Meloni për të ndërtuar një kamp refugjatësh në vendin tonë, është një favor që ai i bën shefes së qeverisë italiane. I ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, Sejamini tha se Rama e bën këtë për problemet e brendshme të Melonit, njësoj siç ka bërë në shtetet e tjera që ato në këmbim të mbyllin në sy për problemet e rënda që ka vendi me krimin, korrupsionin dhe të drejtat e njeriut
“Z. Rama pranoi afganët që asnjë vend nuk i pranoi, tani ka pranuar që të vijnë refugjatët afrikanë dhe aziatikë që nuk i ka pranuar askush në Evropë, as Italia. Nga ana tjetër Rama ka pranuar që të na kthejnë refugjatët shqiptarë, duke shkelur të drejtat e tyre. Pra Holanda, Franca, i kthejnë për 24 orë, pa bërë as kërkesë dhe kanë rënë dakord. Me Britaninë ka bërë të njëjtën gjë, madje edhe të burgosurit tanë atje të vijnë këtu.
Në të gjitha rastet, Shqipëria është vendi i vetëm, pothuajse, që ka pranuar këto kushte dhe favore që u ka bërë fuqive të mëdha dhe z. Rama nuk ka kërkuar asgjë në shkëmbim, as investime, as ndihmë të shtuar, asgjë fare dhe dyshimi im është se ai u bën favore udhëheqësve evropianë për të zgjidhur problemet e tyre, që të bëhet i dobishëm për ta. Sepse themi se si ka mundësi që Rama e ka mirë me botën, se nuk janë kritikë për krimin, korrupsionin dhe pastrimin e parave në Shqipëri.
Teza ime është se duke u bërë këto favore politikës së tyre të brendshme, ata shkelin një sy se si z.Rama qeveris dhe çfarë ndodh në Shqipëri.
Italia vetë nuk i mban atje. Ajo e ka Prodhimin e Përgjithshëm 2.2 trilionë dollarë në vit, ne 18.6 miliardë dollarë, pra ajo prodhon 116 herë më shumë se ne. Italia ka një popullsi prej 60 milionë, ne rreth 2.7 milionë, pra 22 herë më shumë popullsia italiane. Italia ka një sipërfaqe prej 302 mijë km katrorë, ku mund të gjenden vende sa të duash, ndërsa Shqipëria 28 mijë km katrorë, pra e ka 11 herë më të madhe Italia. Për të mos folur më tej për BE-në me gati gjysëm miliardë popullsia.
Shqipëria nuk ka përvojë për operacione të tilla. Ne i kërkojmë Italisë që të na japë helikopterë për të kontrolluar territorin tonë, i kërkojmë Italisë dhe Francës policë se nuk e kontrollojmë territorin, sepse ne nuk kemi kapacitete.
Befas ne do të kemi kapacitete për të garantuar rendin për 36 mijë persona të cilët nuk kanë ardhur as në Shqipëri.
Zgjedhja që ka bërë Rama nuk ka të bëjë me humanizmin, as me nderin ndaj Italisë, por një favor që i bën kryeministres italiane, njësoj siç bëri me kryeministrin francez, kryeministrit britanik, presidentëve amerikanë. Zgjidh problemet e tyre të brendshme dhe nuk merr asgjë mbrapsht, por merr heshtjen e tyre për mënyrën se si korrupsioni dhe krimi lulëzon në Shqipëri”-tha Sejamini.