AKTUALITET, 5 Qershor 2024, 15:47

Sekuestrohen 2 makina të vjedhura në Kosovë, arrestohet 34-vjeçarja nga Rubiku. Dyshimet

Sekuestrohen 2 makina të vjedhura në Kosovë, arrestohet

Një 34-vjeçare nga Rubiku është arrestuar këtë të mërkurë pasi dyshohet se ka sjellë në Shqipëri 2 makina të vjedhura në Kosovë. Sipas policisë këto mjete dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale.

Si rezultat i punës së inteligjencës policore, kontrolleve dhe hetimeve që po kryhen me intensitet, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë kanë goditur një rast të trafikimit të automjeteve të vjedhura, për t’i përdorur për qëllime kriminale.

Për rastin u vu në pranga Alketa Pjetri, banuese në Rubik, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit, ka trafikuar nga Kosova në Shqipëri, 2 automjete, tip “BMW” dhe “Volkswagen”, me targa kosovare, të cilat dyshohet se do të përdoreshin për qëllime kriminale, në Rrëshen.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale”, për shtetasin D. P., banues në Rubik, pasi dyshohet se ka fshehur në servisin e tij, në Rubik, 2 automjetet e trafikuara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.