AKTUALITET, 5 Qershor 2024, 14:42

Atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për Redjan Rrajan! 35 vite për Ariol Halilaj

Atentati ndaj ish prokurorit Arjan Ndoja, Apeli i GJKKO lë në fuqi

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi dënimin me burg të përjetshëm për Redjan Rrajën, ndërsa për Ariol Halilaj u vendos dënimi me 35 vite burg.

Rraja dhe Halilaj u shpallën fajtorë për disa vepra penale si vjedhje, mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve shpërthyese dhe luftarake, tentativë vrasje e zyrtarëve publikë apo grup i strukturuar kriminal.

Redjan Rraja, nipi i ish deputetit te PS, u arrestua si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, ku mbeti i vrare shoferi i tij, Andi Maloku, dhe u plagos Aleksandër Laho alias Pëllumb Muharremi , i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.

Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit.

Gjykata ka pasur bindjen se Redjan Rraja ka qenë personi që qëlloi me breshëri ndaj makinës së ish-prokurorit Arjan Ndoj.

SPAK ka pasur si provë gjurmët e ADN së Redjan Rrajës, të cilat u gjetën në disa sende të ndryshme në automjetin Mercedes-Benz ngjyrë gri që u gjet në fshatin Shkafan të Ishmit.

Profil gjenetik u përftua në një palë syze “Emporio Armani” me inicialet e tij dhe në rrobat, kapuç dhe një palë doreza që u gjetën në makinën tip benz. Gjithashtu policia sekuestroi 136 gëzhoja, dy automatikët dhe një pistoletë që u përdorën në ngjarje.

R E P U B L I K A  E  S H Q I P Ë R I S Ë

GJYKATA E POSAÇME E APELIT PËR KORRUPSIONIN DHE KRIMIN E ORGANIZUAR

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Iliriana Olldashi (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar) dhe Nertina Kosova (anëtare),  më datë 04.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 11 akti, datë 17.01.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesit/të pandehurit R.Rr., A.H., kundër vendimit nr. 52, datë 25.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 134, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet burgim.

1.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 11 (njëmbëdhjetë) vjet burgim.

1.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.

1.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës A.N., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

1.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A.M. dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës A.L. (P.M.), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

1.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit R.Rr. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 4 (katër) vjet burgim.

1.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit R.Rr. me burgim të përjetshëm.

1.7 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri R.Rr., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

2.1 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i parë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 10 (dhjetë) vjet burgim.

2.2 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278 paragrafi i tretë, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 6 (gjashtë) vjet burgim.

2.3 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Vrasja e funksionarëve publikë”, mbetur në tentativë, në dëm të viktimës A.N., kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79/a e 22, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim.

2.4 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” me pasojë vdekjen e shtetasit A.M. dhe mbetur në tentativë në dëm të viktimës A.L. (P.M.), kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 79, shkronja “dh”, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 2 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.5 Deklarimin fajtor të të pandehurit A.H. për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

2.6 Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit A.H. me 35 (tridhjetë e pesë) vjet burgim.

2.7 Vuajtja e dënimit për të pandehurin A.H. do të fillojë nga data e ekzekutimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, caktuar me vendimin nr.46, datë 05.05.2020 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

2.8 Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri A.H., ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë.

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të Vendimit nr. 52, datë 25.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.