BOTA, 6 Nëntor 2024, 19:04

Sekretari i Jashtëm britanik e ka quajtur "sociopat, simpatizant i neo-nazistëve"! Starmer zotohet të "punojë" me Trump

Sekretari i Jashtëm britanik e ka quajtur "sociopat, simpatizant i

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer ka uruar Donald Trump për fitoren e zgjedhjeve në SHBA. Ai ka deklaruar se një marrëdhënie e fortë mes SHBA-ve dhe Mbretërisë së Bashkuar është vendimtare. 

Marrëdhëniet mes kryeministrit Starmer dhe Presidentit të zgjedhur Trump, kanë patur luhatje jo të vogla përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale. 

Shkak për këtë ishin akuzat nga fushata e Trump për ndërhyrje të Partisë Laburiste në zgjedhje. Kjo sepse një grup vullnetarësh laburistë kishin udhëtuar drejt SHBA-ve dhe mbështesnin Harris. Starmer u përpoq ta "shfrynte" këtë përplasje duke mos i dhënë shumë hapësirë dhe duke deklaruar se bëhej fjalë për vullnetarë që angazhoheshin në kohën e tyre të lirë. 

Po kështu, Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, dikur ka bërë disa komente mjaft të ashpra ndaj Trump. Gjatë kohës që ishte në opozitë, Lammy e ka quajtur Trumpin "një sociopat që simpatizon neo-nazistët". Tashmë që është në detyrë, ai është përpjekur të gjejë ura komunikimi me Trump. 

Kryeministri Starmer, gjatë fjalës së tij në Parlamentin britanik, tha se pret që të punojë me Trump në një kohë kur bota është e lëkundur. 

Ndërkohë liderja e opozitës, Kemi Badenoch, i kërkoi kryeministrit të kërkojë falje për këto komente të Sekretarit të Jashtëm. 

Rikthimi i Trump në pushtet pritet të shoqërohet me shumë të panjohura për Europën, për shkak të premtimeve, politikave, por edhe karakterit të paparashikueshëm të tij. 

Trump mundi Harris në shtetet kyçe dhe në votën popullore. Po kështu Republikanët kanë siguruar shumicën në Senat dhe pritet ta sigurojnë edhe në Kongres.