AKTUALITET, 16 Nëntor 2023, 15:59

Sa tolerantë janë shqiptarët?/ Nxehemi, urrejmë, por edhe falim! Sociologët: Ngut për çdo gjë!

Sa tolerantë janë shqiptarët?/ Nxehemi, urrejmë, por edhe

Padurimin në trafik ndesh shpesh në Tiranë.  Por trafiku është vetëm një prej rasteve ku gatishmëria për të pranuar  sjellje apo mendime  që nuk na pëlqejnë  lë për të dëshiruar.  Toleranca shpesh mungon.  Por çfarë mendojnë vetë  qytetarët, sa  tolerantë  janë shqiptarët?

Disa e lidhin me moshën, ndërsa të tjerë me situatat sociale. “Unë për veten time jam shumë tolerante, sepse jam e vetme, fëmijët i kam jashtë edhe e kam zemrën të thyer, dhe çdo njeri unë e toleroj personalisht, por në përgjithësi  shqiptarët janë gjak nxehtë shumë dhe rrallë shumë e tolerojnë njëri tjetrin”, tha një qytetar. “Ata  janë gjak nxehtë, kanë arsyet e tyre, ne jemi prindërit e tyre,  tolerojmë më shumë,  falim më shumë”, pohoi një e moshuar për ABC. 

Shqiptarët sipas sociologëve  krenohen me tolerancën fetare, por çedojnë në përditshmëri.  Për këtë e kanë dhe një argument. “Toleranca është në nivele të dobëta të shoqërisë sonë në nivele të së përditshmes.  Me shumë vështirësi i hapim rrugë tjetrit, me shumë vështirësi  presim që ai të përfundojë argumentin, me kaq  vështirësi i japim tjetrit prioritet.  Kjo më së shumti lidhet me një element tjetër psiko-social që ka të bëjë thellësisht me kulturën tonë. Duke qenë në një popullatë në zhvillim të vazhdueshëm, njerëzit janë karakterizuar nga nguti, dëshira, etja për ndryshim për përmirësim dhe fare pak janë thelluar në përmirësimin e normave kulturore që të na bëjnë  të jemi një shoqëri tolerante.”, tha sociologia.

Me qëllim që publiku të shohë tolerancën si një element kryesor të shoqërisë Asambleja e  Përgjithshme Organizatës së Kombeve të Bashkuara  28 vite me parë shpalli  16 nëntorin si ditën botërore të tolerancës, sipas deklaratës së OKB-s pranimit të faktit se qeniet njerëzorë janë të ndryshme në  pamje, pozita,  sjellje e vlera e  kanë të drejtë të jetojnë ashtu siç janë. Në ditë të tilla ndërgjegjesuese  apeli  vjen për të reflektuar,  për të pranuar dallimet dhe për të respektuar të ndryshmit, pa urrejtje, dhunë, nënçmim dhe me durim.