AKTUALITET, 28 Korrik 2023, 13:27

Rritja e kredive me probleme u frenua në qershor, rënie e lehtë në 5.2%

Rritja e kredive me probleme u frenua në qershor, rënie e lehtë

Rritja e raportit të kredive me probleme u frenua në muajin qershor.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, raporti i kredive me probleme ra lehtë në 5.2%, nga 5.23% që kishte qenë në muajin maj. Ky tregues ngelet sidoqoftë në rritje krahasuar me nivelin prej 4.99% që u shënua në fund të vitit të kaluar.

Banka e Shqipërisë vlerëson se lëvizja e këtij treguesi përgjatë pjesës së parë të vitit ka qenë relativisht e ulët dhe e parë në një perspektivë të gjerë kohore, kjo luhatje konsiderohet brenda intervaleve të pranueshme.

Sipas Bankës së Shqipërisë, këtë vit është konstatuar se lëvizjet kanë ardhur nga rënia e lehtë e nivelit të portofolit që duke mos ecur në të njëjtin drejtim me portofolin e kredive me probleme, ka sjellë edhe rritjen e treguesit.

Bashkimi me përthithje i Bankës Alpha nga Banka OTP dhe nevoja e pastrimit të bilanceve pas bashkimit të tyre ka qenë një nga arsyet e rënies së portofolit të kredive në nivel bruto. Gjithashtu, mbyllja e disa kredive të mëdha në sistem ka dhënë efekt në drejtim të tkurrjes së portofolit.

Deri tani, rritja e raportit të kredive me probleme ka qenë e vogël dhe poshtë projeksioneve të vitit të kaluar. Kjo mund të shpjegohet me disa faktorë.

Ecuria e ekonomisë në pjesën e parë të këtij viti ka qenë më e e mirë se pritshmëritë, megjithëse është ngadalësuar krahasuar me vitin 2022. Sidoqoftë, turizmi dhe sektori i pasurive të paluajtshme e kanë mbajtur rritjen ekonomike në nivele pozitive edhe për tremujorin e parë të vitit.

Gjithashtu, edhe rritja e normave të interesit këtë vit është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me ritmet e vitit të kaluar. Banka e Shqipërisë e ka rritur vetëm njëherë normën bazë këtë vit dhe aktualisht ajo qëndron në nivelin 3%, ndjeshëm më e ulët krahasuar me Eurozonën dhe me vendet e Rajonit. Kjo është reflektuar në rënie të yield-eve të instrumenteve të borxhit qeveritar dhe në ngadalësimin e rritjes së normave të interesit të depozitave dhe të kredive.

Një ndikim pozitiv vlerësohet se ka dhënë edhe tendenca mbiçmuese e lekut në kursin e këmbimit valutor. Kjo ka përmirësuar aftësinë paguese për huamarrësit në valutë, por që të ardhurat e tyre i kanë në Lekë, duke zbutur efektet e rritjes së normave të interesit për Euron.

Mbajtja nën kontroll e treguesit të kredive me probleme po ndihmon në rritjen e performancës finaciare të sektorit bankar, që për pjesën e parë të këtij viti është dukshëm në nivelet më të larta historike.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, fitimi neto për 5-mujorin janar-maj arriti në 11.6 miliardë lekë, në rritje me 106% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. /Monitor

Rritja e kredive me probleme u frenua në qershor, rënie e lehtë