AKTUALITET, 10 Shkurt 2023, 14:45

Rritet në mënyrë të frikshme numri i viktimave, Erdogan: Përgjigjia e qeverisë nuk ishte aq e shpejtë sa donim!

Rritet në mënyrë të frikshme numri i viktimave, Erdogan:

Zyrtarët turq kanë njoftuar se 18.991 njerëz kanë humbur jetën nga tërmeti tragjik. Ndërsa në Siri raportohen për 3.377 të vdekur, duke e çuar totalin në 22.368 jetë të humbura në të dy shtetet.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka pranuar se përgjigja e qeverisë ndaj tërmetit të së hënës nuk ka qenë aq e shpejtë sa ai kishte shpresuar.

Erdogan është përballur me kritika nga të mbijetuarit e tërmetit të cilët kanë akuzuar qeverinë se numri i ekipeve të shpëtimit ka qenë i pamjaftueshëm, si edhe ndihmat humanitare të dërguara.

Duke folur me gazetarët në qytetin jugor Adiyaman, i cili gjithashtu u godit nga tërmeti, ai tha: “Aq shumë ndërtesa u dëmtuan sa për fat të keq, ne nuk ishim në gjendje të përshpejtonim ndërhyrjet tona aq shpejt sa kishim dëshiruar.”

Ai tha gjithashtu se disa njerëz po plaçkisnin tregjet dhe po sulmonin bizneset, duke shtuar se ata do të marrin dënimin që meritojnë.