AKTUALITET, 11 Janar 2024, 20:52

Roland Bejko ngre në qiell deklaratat e Lulzim Bashës: ’10 me yll’, do të kenë efekt edhe te Rithemelimi

Roland Bejko ngre në qiell deklaratat e Lulzim Bashës: ’10 me

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko, duke komentuar deklaratat e Bashës gjatë konferencës për shtyp që ky i fundit pati ditën e sotme, tha se me këtë konferencë Basha hapi siparin e një gjuhe të re politike.

“Ne duhet të futemi në normalitet, parlamenti duhet të kryejë reforma që janë jetike për demokracinë shqiptare sot. Sot Basha me konferencën e tij çeli siparin e një gjuhe të re politike dhe këtu është vija ndarëse e tranzicionit konfliktual dhe asaj që Shqipëria ka nevojë për gjeneratën e ardhshme”- tha Bejko.

I pyetur nëse deklaratat e Bashës do të kenë efekt tek deputetët që i janë bashkuar Rithemelimit, Bejko tha se një gjë e tillë do të ndodhë më vonë, por theksoi se kryedemokrati duhet të vijojë me konferencat për shtyp.

“Aty do ketë më vonë efekt. Më shpejt do ketë efekt tek 35-40% e elektoratit shqiptar përgjithësisht të djathtë, të cilët janë lodhur me lojën konfliktuale dhe duan një model të ri. Konferenca e sotme të shtypit realizoi objektivin e parë, për mua ishte 10 me yll por duhet ta vazhdojë këtë gjë sepse po ta lërë e humbet. Ka qenë audiencë maksimale dhe ne këtë kërkonim që kryetari i PD të marrë vëmendjen që i takon”- u shpreh Bejko.

Ai tha se dera e Partisë Demokratike është e hapur për të gjithë ata demokratë të cilët në një moment të caktuar kanë bërë një gabim emocional logjik.