TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e dhënë më herët nga Shkalla e Parë për ish-deputetin e PS, Alqi Bllako.
Sipas vendimit të shpallur më 23 korrik 2025, çështja do të gjykohet sërish nga një trupë tjetër gjyqësore e së njëjtës gjykatë. Vendimi vjen pas ankimimeve të bëra si nga SPAK, ashtu edhe nga vetë i pandehuri.
Bllako është i dënuar me 4 vite burg lidhur me hetimet për inceneratorin e Tiranës, ku ish-deputeti akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë.
Alqi Bllako akuzohet se ka përfituar para nga Mirel Mertiri dhe Klodian Zoto, të cilat më pas i ka përdorur për të blerë pajisje për kompaninë e babait të tij.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka kërkuar para nga Klodian Zoto në këmbim të punësimit të Vladimir Bezhanit si këshilltar pranë ministrit Lefter Koka, për të ofruar konsulencë në këtë çështje.
Vendimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Miliana Muça (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), më datë 23.07.2025, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 50 akti, datë 17.06.2025 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe ankimin e paraqitur nga i pandehuri A.B., ndaj vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi:
Prishjen e vendimit nr. 22, datë 11.03.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke u urdhëruar dërgimi i akteve për gjykim një kolegji tjetër të së njëjtës gjykatë.
U shpall në Tiranë, më 23.07.2025.