AKTUALITET, 23 Dhjetor 2021, 10:15

Rihapet dosja ‘Gërdeci’, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Fatmir Mediut

Rihapet dosja ‘Gërdeci’, Gjykata e Lartë rrëzon

Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.

Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.

Pas vendimit të Apelit të GJKKO-së për të rihapur çështjen ‘Gërdeci’ SPAK rinisi hetimet, ndërkohë pritet që të nisë pyetja e personave që kanë dijeni për rrethanat.

Personave të parë që u është nisur fletë-thirrje janë trashëgimtarët e viktimave dhe personat e dëmtuar nga “Gërdeci”. Në pyetje do të rimerren edhe ish zyrtarë të lartë që kanë qenë në detyrë në periudhën e tragjedisë me 15 mars 2008. Zyrtari i parë që do ripyetet është ish-ministri mbrojtjes Fatmir Mediu.

Në fillim të muajit qershor, Gjykata e Lartë vendosi revokimin e vendimit që pengonte gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për dosjen e Gërdecit. Tashmë që çështja u rihap Mediu do të gjykohet.

Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të vitit 2008, rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.