TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Ekonomia shqiptare do të ketë nivele në rritje të inflacionit edhe gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm, duke reflektuar rritjen e çmimeve të mallrave në tregjet ndërkombëtare. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës se efekti i rritjes së çmimeve do të fillojë të zbehet në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm. Ai përsëriti projeksionin se kthimi i qëndrueshëm i inflacionit pranë objektivit 3% pritet të ndodhë në fund të vitit 2022.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 0.5% dhe të mbajë të pandryshuara normat e depozitave dhe kredive ditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 0.9%. Megjithatë, Sejko paralajmëroi se kthimi i inflacionit në objektiv do të kërkojë normalizim gradual të politikës monetare gjatë tremujorëve në vijim.
Banka e Shqipërisë vlerëson se Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 11.7% në 6-mujorin e parë të vitit 2021, ndërsa sipas të dhënave të tërthorta rritja pozitive ka vijuar edhe në gjysmën e dytë të vitit. Por, Banka e Shqipërisë parashikon se se normat e rritjes do të jenë më të ulëta, për shkak të përfarimit të bazës krahasuese me vitin e kaluar.
“Projeksionet tona për të ardhmen mbeten pozitive. Në afatin e mesëm, rritja e ekonomisë pritet të mbështetet nga kushtet e favorshme të financimit, përmirësimi i besimit dhe i bilanceve të sektorit privat, dhe nga normalizimi gradual i aktivitetit ekonomik në vendet partnere. Këta faktorë pritet të nxitin rritjen e konsumit, të investimeve dhe të eksporteve. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të shoqërohet me rritjen më dinamike të punësimit, pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit, duke forcuar presionet e brendshme inflacioniste. Nga ana tjetër, goditjet e huaja të ofertës do të diktojnë vlera të inflacionit mbi objektiv në afatin e shkurtër, por efekti i tyre pritet të jetë gjithsesi kalimtar. Balanca e rreziqeve rreth inflacionit shfaqet e zhvendosur për lart në afatin e shkurtër dhe e balancuar në afatin e mesëm. Nga njëra anë, një rritje më e shpejtë apo më e gjatë në kohë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare, si dhe një ritëm më i ngadaltë i konsolidimit fiskal, përbëjnë rreziqe të kahut të sipërm mbi inflacionin. Nga ana tjetër, një rimëkëmbje më e ngadaltë e ekonomisë botërore dhe shqiptare, si pasojë e zgjatjes në kohë të pandemisë apo e shtrëngimit të shpejtë të kushteve monetare në tregjet ndërkombëtare, përbën rrezik të kahut të poshtëm mbi inflacionin,” tha Sejko.
Tremujori i tretë solli një përmirësim më të dukshëm të treguesve të punësimit në ekonomi. Guvernatori tha se përmirësimi i treguesve të tregut të punës dhe rritja e kërkesës për punë e raportuar nga bizneset sugjerojnë se presionet për rritjen e pagave do të vijojnë të forcohen në të ardhmen. Sejko theksoi edhe njëherë se kredia bankare po regjistron norma të larta rritjeje, duke mbështetur gjithmonë e më shumë rritjen e konsumit dhe të investimeve. Vëllimi i kredisë për sektorin privat regjistroi një rritje vjetore me 11% në muajin nëntor. Rritja e kredisë është shtrirë si tek bizneset dhe individët, si për qëllime investimi ashtu edhe për mbulimin e nevojave afatshkurtra, si në lekë edhe në valutë. Sipas Guvernatorit, rritja e kërkesës për kredi, e raportuar tek vrojtimi i aktivitetit kreditues, lehtësimi i kushteve të kreditimit, dhe shëndeti i mirë i industrisë bankare sugjeron për një ecuri të mirë të kredisë në vazhdim. /Monitor/