AKTUALITET, 12 Maj 2022, 19:38

Rezoluta kundër genocidit në Srebrenicë, reagon edhe Meta kundër socialistëve

Rezoluta kundër genocidit në Srebrenicë, reagon edhe Meta

Presidenti Ilir Meta reagoi ashpër kundër rrëzimit të rezolutës kundër genocidit serb në Srebrenicë  nga mazhoranca socialiste.

Me anë të një postimi në Facebook, Meta shkruan se votimi kundër ishte zhgënjyes.

Sipas kreut të shtetit, në një kohë kur në Ukrainë po zhvillohet luftë, dhe në rajonin tonë vërehen përpjekje për të mohuar genocidin në Srebrenicë, seanca e sotme parlamentare duhej të ishte shprehur solemnitet kundër masakrës barbare.

Postimi i Metës

Tejet zhgënjyes votimi KUNDËR i mazhorancës ndaj projekt-rezolutës së paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë për njohjen dhe dënimin e gjenocidit të serbëve të Bosnje-Hercegovinës në Srebrenicë në korrik të 1995.

Në kushtet e agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikueshëm rus kundër Ukrainës, dhe kur në rajonin tonë vërehen përpjekje të shtuara për të mohuar gjenocidin serb në Srebrenicë dhe për të glorifikuar kriminelët e luftës, seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë do të duhet të shprehte me solemnitet dhe vendosmëri të plotë vullnetin e patjetërsueshëm të popullit shqiptar kundër gjenocidit barbar, që mori jetët e 8372 njerëzve në Srebrenicë.

Jam tejet i keqardhur që deputetë të Kuvendit të Shqipërisë shtrembërojnë në mënyrë të pamerituar dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve shqiptarë, të cilët e kanë treguar me vepra se janë kundër spastrimeve etnike, dhe në mbrojtje të lirisë dhe dinjitetit njerëzor.