AKTUALITET, 17 Maj 2022, 10:48

Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit dështoi, nis Konferenca e Kryetarëve për caktimin e datës së re

Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit dështoi, nis Konferenca

Pas dështimit të raundit të parë ditën e djeshme për zgjedhjen e kreut të shtetit, Konferenca e Kryetarëve u mblodh sot në orën 10:00, me qëllim që të përfshihet në rend dite edhe diskutimi për të caktuar afatet për raundin e dytë të zgjedhjes së Presidentit.

Kështu, sot në Kryesinë e Kuvendit vendoset mbi afatet se deri kur duhet të depozitohen emrat për President dhe kur do të jetë seanca e radhës.

Sipas Kushtetutës, seanca e radhës nuk mund të jetë më larg se një javë, por ajo mund të jetë edhe më herët.

Referuar ligjit themeltar të Shqipërisë, në tri raundet e para kërkohet shumicë e cilësuar votash, pra me minimumi 84 vota në Parlament për të zgjedhur kreun e shtetit.

Ndërkohë, në raundin e 4-t dhe të pestë hyn në fuqi mekanizmi zhbllokues, ku parashikohet që kreu i shtetit zgjidhet me 71 vota.

Demokratët edhe më herët u përplasën dje në Komisionin e Ligjeve, ku kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, i kërkoi PS-së që të mbajë qëndrim nëse do që të zgjedhë një President sipas frymës së Kushtetutës, pra me votat edhe të opozitës, apo me mekanizmin zhbllokues.

“Ne kemi mbajtur këtë qëndrim që tre raundet e para për zgjedhjen e Presidentit.

Ne presim qëndrim. Jeni ju për zgjedhjen e Presidentit sipas frymës së Kushtetutës? Jeni për një proces që të mos shndërrohet në një lojë politike? Deri në përgjigjen e qëndrimit tonë që duhet ta ktheni, kjo do të jetë në sytë e publiku.

Ky dështim i këtij raundi të parë, nuk do të doja të bëja asnjë provokim, por qëndron mbi supet tuaja, në radhë të parë. Ju duhet të mbani një qëndrim, përgjërimet e bëra nga përfaqësuesit më të lartë tuaj deri tani duket se kanë qenë farsë, jo të sinqertë, hipokritë. Koha është para. Ne jemi në pritje të qëndrimit tuaj për të parë se çfarë produkti do të dalë”, tha Alibeaj.

Ndërkohë, kryetarja e Komisionit të Ligjeve akuzoi Alibeajn dhe opozitën se tjetër thotë dhe tjetër bën. Ajo i kujtoi Alibeajt parashikimin e Kushtetutës, ku kërkohet gjithëpërfshirje në zgjedhjen e Presidentit, por sipas saj, Alibeaj nuk merr pjesë në proces. “Ju e keni bërë të qartë qëndrimin tuaj, ky është proces që kërkon gjithëpërfshirje, por për hir të kësaj, askush s’mund të bllokojë një proces parlamentar. Ne kemi dy procese: një procesi parlamentar zyrtar, një ai i diskutimeve politike.

Jam në dijeni, ju është bërë disa herë thirrje të merrni pjesë në diskutime për të vijuar me shqetësimet që keni, di që edhe Konferenca e Kryetarëve u shty në datën 10 për t’u dhënë kohë palëve”, tha Bushka.