AKTUALITET, 29 Prill 2026, 17:04

Raporti/ Borxhi publik i vendit 14.1 miliardë euro, ulet me 4% krahasuar me 2025-ën

Raporti/ Borxhi publik i vendit 14.1 miliardë euro, ulet me 4% krahasuar me

Borxhi publik në tremujorin e parë të këtij viti preku shifrën më të ulët historike duke rënë në 48.7%. Raporti i fundit i Ministrisë së Financave tregon se ky tregues ka rënë me rreth 4% në raport me vitin 2025, me kontributin kryesor të uljes së borxhit të brendshëm por edhe të atij të jashtëm.

Përllogaritja e borxhit në përqindje bëhet mbi një Prodhim Kombëtar prej 29 miliardë euro, në rritje krahasuar me vjet, çka ul direkt edhe përqindjen e borxhit në raport me PBB-në. Ndërsa përkthyer në vlerë, borxhi i Shqipërisë përllogaritet në 14.1 miliardë euro dhe është tkurrur me 464 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar.

Ndryshe nga periudhat e kaluara, ku zhvlerësimi i valutave jepte kontributin kryesor në uljen e borxhit, në këtë tremujor të parë të vitit 2026, kanë ndryshuar ‘rolet’. Rënia më e madhe është regjistruar tek borxhi i marrë brenda vendit, nga 31.38% që ishte në fund të vitit 2025, është ulur në 28.59%, ndërsa borxhi i jashtëm ka rënë nga 21.49% vjet në 20.2%

Në fakt, borxhi do të ishte edhe më i lartë nëse monedha kombëtare nuk do të ishte forcuar. Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes së tij kanë qenë më të ulëta.

Referuar raportit, borxhi publik i Shqipërisë është i përqendruar kryesisht për mbështetje buxhetore, për sektorin e energjisë dhe atë të transportit.