AKTUALITET, 11 Korrik 2026, 11:15

Rama promovon Liqenin e Shkodrës: Turistët e huaj mahniten nga natyra dhe mikpritja

Rama promovon Liqenin e Shkodrës: Turistët e huaj mahniten nga natyra

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Liqeni i Shkodrës, duke promovuar një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike dhe natyrore të vendit.

Në videon e publikuar në rrjetet sociale shfaqen turistë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicra dhe Gjermania, të cilët ndajnë përshtypjet e tyre për bukuritë natyrore të zonës, mikpritjen e banorëve dhe potencialin turistik të Shkodrës.

“Këtu vizitorë nga vende të ndryshme mahniten, eksplorojnë dhe shijojnë natyrën e kryeqytetit të rilindur të Veriut”, shprehet Kryeministri Rama në mesazhin që shoqëron videon.

Një turiste nga Shtetet e Bashkuara tregon se kishte dëgjuar për bukuritë e veriut të Shqipërisë përmes internetit dhe vendosi ta vizitonte vendin, duke theksuar peizazhet malore, aktivitetet e shumta turistike dhe atmosferën mikpritëse. Ajo vlerëson gjithashtu zhvillimin që po përjeton qyteti dhe organizimin e aktiviteteve kulturore gjatë sezonit veror.

Një tjetër vizitor nga Zvicra, që ndodhet për herë të parë në Shqipëri, shprehet i impresionuar nga natyra e Liqenit të Shkodrës, pasuria e florës dhe faunës, si edhe mundësitë që ofron zona për ecje në natyrë.

Ndërsa një turist nga Gjermania e cilëson Shkodrën një destinacion unik, duke veçuar kombinimin e liqenit me peizazhin malor, biodiversitetin, mikpritjen e banorëve dhe pozicionin e qytetit si porta hyrëse drejt Alpeve Shqiptare.

Liqeni i Shkodrës, i shpallur Rezervë Ndërkufitare e Biosferës nga UNESCO dhe pjesë e Rrjetit Botëror të Rezervave të Biosferës, konsiderohet një nga qendrat turistike më të rëndësishme të rajonit dhe vijon të tërheqë çdo vit një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj.

Për të apasionuarit pas turizmit aktiv, liqeni ofron kushte të favorshme për sportet ujore, ecjet në natyrë (hiking), vëzhgimin e shpendëve dhe aktivitete të tjera rekreative, duke e bërë atë një destinacion tërheqës në çdo stinë.

Liqeni i Shkodrës është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i tij përfaqëson një nga zonat më të rëndësishme të biodiversitetit në Evropë, me një pasuri të veçantë flore dhe faune. Pika më e thellë e liqenit arrin rreth 45 metra, ndërsa në skajin juglindor të tij shtrihet qyteti i Shkodrës, prej të cilit liqeni ka marrë edhe emrin.