TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, në kuadër të të cilit u zbuluan tre lokale ku dyshohet se organizoheshin në mënyrë të kundërligjshme lojëra të ndryshme fati. Operacioni çoi në arrestime, shpallje në kërkim dhe procedime penale.
Sipas Policisë, si rezultat i kontrolleve dhe veprimeve hetimore të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u goditën tre raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan në flagrancë shtetasin G. Zh., 22 vjeç, ndërsa shpallën në kërkim shtetasit M. Zh., 50 vjeç dhe A. Zh., 25 vjeç. Sipas hetimeve, ata dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient të marrë me qira në rrugën “Aleks Çaçi”. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi dy makineta për lojëra fati, një tavolinë pokeri, si dhe çipsa e letra bixhozi.
Në një tjetër rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan në flagrancë shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte me qira, në Bathore, u gjetën një makinetë dhe një telefon celular, të cilët dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Ndërkohë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, secilit prej tyre iu gjet një telefon celular që dyshohet se përdorej për organizimin e basteve sportive.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre rasteve dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari të kundërligjshme.