AKTUALITET, 27 Maj 2023, 11:28

Rama paralajmëroi rritje të energjisë elektrike, Konfindustria kundër: Pasoja të rënda për qytetarët, industritë dhe bizneset

Rama paralajmëroi rritje të energjisë elektrike, Konfindustria

Dy ditë pas deklaratës së kryeministrit Edi Rama se në verë do të hapet diskutimit për rishikimin e fashës së energjisë elektrike, vjen një reagim nga Konfindustria.

Kjo e fundit kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e energjisë elektrike për bizneset dhe qytetarët. Administratori i Konfundistria, Gjergj Buxhuku u shpreh se duhet një analizë e detajuar e menaxhimit të sistemit energjetik. Mes te tjerash Konfindustria thekson se dëmi financiar nga vjedhjet dhe dëmet në rrjet arrin në 100 milionë euro në vit. Buxhuku shton se çmimi i energjisë elektrike në vendin tonë është ndër më të lartët në rajon.

“Konfindustria kundërshton çdo nismë qeveritare për rritjen e çmimit të energjisë për bizneset dhe qytetarët pa një analizë të thelluar paraprake profesionale për gjendjen dhe menaxhimin e deritashëm të sistemit energjetik. Vetëm në rast, se gjykohet, që potencialet vendore energjetike janë përdorur plotësisht me efikasitet profesional dhe pa korrupsion, është e mundshme të ndërmerren nisma për rritjen e çmimit të energjisë.

Sipas të dhënave të institucioneve zyrtare humbjet nga keq menaxhimi i sistemit energjetik në 3 mujorin e parë të vitit 2023, ku përfshihen vjedhjet dhe humbjet teknik, arrijnë në mbi 25.1% të sasisë së përgjithshme të hedhur në rrjet nga 8%, që duhet të ishin. Dëmi financiar publik nga më sipër është prej më shumë se 100 milion euro/vit.

Në vlerën e mësipërme nuk përfshihen dëmet nga keqmenaxhimi i rezervave ujore të mëdha të vendit, humbjet financiare nga transaksionet e shitje-blerjes së energjisë, kostot e tejfryra të kompanive publike të energjisë, etj. Çmimet e shitje-blerjes së energjisë elektrike vlerësohen në humbje për kompanitë publike me mbi 20% të sasisë së energjisë dhe vlerë prej qindra milionë euro/vit. Sa më sipër kryhet në kushtet e subjektivizmit të qartë, duke shmangur ende në vazhdimësi dhe pa asnjë shpjegim dhe përgjegjësi Bursën e Energjisë ALPEX. Gjithashtu, çmimet e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare janë ulur ndjeshëm gjatë viteve 2022-23 si dhe kushtet e motit kanë qenë shumë të përshtatshme për prodhimin vendor të energjisë, që bëjnë të paarsyeshme rritjen e çmimit.

Konfindustria vlerëson, se bizneset dhe qytetarët shqiptarë kanë çmimet më ta larta në rajon të energjisë elektrike. Çdo rritje e mëtejshme e paarsyetuar e çmimit të energjisë elektrike do të ishte me pasoja të rënda për qytetarët, industritë, bizneset dhe fuqinë konkurruese të ekonomisë kombëtare”, tha Gjergj Buxhuku, administrator i Përgjithshëm.

DEKLARATA E RAMËS:

Po ju kujtoj të gjithëve atyre që na ndjekin se sot vazhdon që në faturën e energjisë elektrike për të gjitha familjet dhe biznesin e vogël dhe pjesën dërrmuese të biznesit, të jetë dora e qeverisë.

Ajo që paguajnë familjet, nuk është vlera reale e faturës. Familjet shqiptare dhe biznesi i vogël paguan ekzaktësisht sa paguante me çmimin përpara krizës.