AKTUALITET, 26 Maj 2023, 18:52

Ligji i ri/ Bajram Begaj, Presidenti më i paguar në rajon, sa janë pagat e homologëve të tij

Ligji i ri/ Bajram Begaj, Presidenti më i paguar në rajon, sa

Vendimi i fundit për rritjen e pagave e pozicionon presidentin Bajram Begaj, si kreun e shtetit më të paguar në rajon. Me rrogën 3860 euro, ai kalon edhe presidentët në Kroaci e Slloveni.

Bajram Begaj është nga sot presidenti më i paguar në rajon, pas votimit në parlamentin shqiptar për rritjen e pagave. Me përfitimin mujor që rritet nga 2320 euro në 3860 euro, ai kalon në rajon edhe presidentët e Kroacisë dhe të Sllovenisë, që paguhen deri në 3500 euro në muaj.

Menjëherë pas tyre janë tre anëtarët e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës: Denis Beqirović, Želka Cvijanović dhe Želko Komshić, secili me nga 2,920 euro në muaj në pozicionin e tyre drejtues dhe më tej zbret presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatovic, i cili ka rrogë 2420 euro.

Ndërkohë, paga e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani pas rritjes së fundit shkon në 2160 euro, ndërsa presidentit serb Aleksendar Vuçiç, të cilit I është rritur paga në janar, merr sot 1700 euro në muaj. Me një diferencë prej 200 eurosh, listën e mbyll Stevo Pendarovski me pagë mujore 1500 euro.

Në të gjithë rajonin, pagat e zyrtarëve janë një temë e nxehtë në sytë e publikut, sepse mendohet se ato marrin përveç rrogës, edhe të ardhura të tjera, disa herë më shumë se qytetarët e zakonshëm./Euronews.al/