AKTUALITET, 14 Nëntor 2022, 21:43

"Rama nuk e vjedh dot PD-në!"/ Agron Shehaj: Protestat gjykohen nga përmasat dhe jo nga dhuna!

"Rama nuk e vjedh dot PD-në!"/ Agron Shehaj: Protestat gjykohen

Deputeti Agron Shehaj ka qenë i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit", ku ka folur për protestën e opozitës dhe tentativat e pushtetit për të "vjedhur" Partinë Demokratike duke përdorur grupin Alibeaj dhe gjykatën. 

Shehaj tha se protesta matet nga mbështetja dhe pjesëmarrja dhe jo nga dhuna. 

"Pse duhej protesta? Ne aktualisht jemi në situatë ku kemi një kryeministër që ka kapur të gjithë pushtetet dhe ka nëntë vjet që qeveris. Po përdoren të gjithë mënyrat për të mbajtur pushtetin, me denigrimin e opozitës, me largimin e njerëzve, etj.

Partitë politike nuk organizojnë protesta të dhunshme në përgjithëse. Partitë organizojnë protesta dhe ato gjykohen nga përmasa jo nga dhuna.

Qëllimi ishte për të treguar se opozita është, ngre zërin dhe nuk pajtohet me gjendjen e krijuar në Shqipëri. Ngre shqetësimin e vjedhjeve dhe skandale. Për të bërë këtë, zgjedh të bëjë edhe protesta. Është një formë për të ngritur zërin.

Sa i takon stabilitetit, këtu nuk është çështje vetëm stabiliteti. Nëse kishte regjim stabël, ishte regjimi komunist. Nuk mund të mendojmë për stabilitet kur nuk ka demokraci dhe vidhen votat", tha Shehaj. 

Deputeti deklaroi se tentativa e Ramës për të "vjedhur" PD-në, do të dështojë. 

"Është e qartë se ka një strategji nga ana e qeverisë. Partinë nuk e vjedhin dot, anëtarësinë, militantët, nuk i vjedhin dot. Është tentativë për ta vënë në vështirësi. Ne do të vijojmë të bëjmë opozitë.

Edi Rama kontrollon drejtësinë dhe ka kapur të gjithë pushtetet. Fakti që nuk merret vendimi është në favor të Ramës. Ne do të vijojmë opozitën dhe do të tregojmë se makinacionet e Ramës nuk do të ketë ndikim", deklaroi Shehaj.