TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në fjalën hapëse të samitit për Ukrainën në Tiranë se humbja e kësaj të fundit në luftën përballë Rusisë nuk duhet të lejohet të ndodhë nga Perëndimi.
Rama u shpreh se kjo do të vendoste në rrezik edhe vetë ekzistencën e Bashkimit Evropian dhe të do të ishte një rezultat i papërballueshëm.
“Sapo kemi kaluar përvjetorin e dytë të sulmit rus në Ukrainë. Duam të përtërijmë thirrjen tonë për Rusinë të ndalë këtë luftë dhe të angazhohemi për paqen. Një paqe që respekton Ukrainën dhe të drejtat e saj. Mblidhemi këtu për të konfirmuar se mbetemi të vendosur përkrahë Ukrainës përballë një kërcënimi real për rendin e Europës dhe atë global.
E them herë pas here, mikut tim të dashur, presidentit ukrainas, vetë nuk kemi kapacitetet për të ofruar mbështetjen financiare e ushtarake për Ukrainën, por i bashkohemi thirrjes për pjesëtarët më të mëdhenj të aleancës sonë se siguria jonë varet nga mbështetja e tyre, e cila nuk duhet të jetë peng i vonesave burokratike. Në këtë rajon, pas më shumë se një çerek shekulli brenga të lëna nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe diktaturës së fundit të Europës ende duhen shëruar.
E vetmja zgjidhje që kemi është të rezistojmë ndaj forcave që duan të shpërbëjnë atë që kemi ndërtuar deri tani. Duhet të vazhdojmë të gjithë të jemi së bashku dhe të mobilizojmë lidhjet dhe kapacitetet tona. Nuk duhet ta lëmë Ukrainën të humbasë dhe Rusinë të fitojë. Një rezultat i tillë do të ishte i papërballueshëm dhe ekzistenca e BE do të ishte në rrezik”, u shpreh Rama mes të tjerash.