AKTUALITET, 28 Shkurt 2024, 08:46

Hasani: Shqipëria dënon agresionin rus në Ukrainë, brenda këtij viti do të hapim ambasadën shqiptare në Kiev

Hasani: Shqipëria dënon agresionin rus në Ukrainë, brenda
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani ka deklaruar se Shqipëria dënon me forcë agresionin rus në Ukrainë. Gjatë një deklarate të përbashkët për mediat me homologin e tij ukrainas, Hasnai shtoi se plani me 10 pika i Presidentit Zelensky, është mundësia më realiste për arritjen e paqes.

Brenda këtij viti tha ministri Hasani, në Kiev do të hapet ambasada shqiptare.

“Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës.

Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë.

Shqipëria mbështet Planin me 10 Pika të Presidentit Zelenski, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjen e një paqeje të qëndrueshme. Së bashku me aktorë dhe vende të tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e Pikës 5 që Ka të bëjë me  “Rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës”, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës“, tha Hasani.