AKTUALITET, 8 Shtator 2024, 13:38

Rama largon Xhaçkën dhe Bushatin, ja emrat që garojnë për Kryesinë e PS

Rama largon Xhaçkën dhe Bushatin, ja emrat që garojnë

Asambleja Kombëtare e PS-së do të zgjedhë sot anëtarët e rinj të Kryesisë dhe Sekretariatin, përmes një procesi votimi të 350 anëtarëve të forumit më të lartë politik, dalë nga Kongresi zgjedhor.

Për 10 vende vakante në Kryesinë e PS-së garojnë 14 emra, mes të cilëve përfshihen edhe Vangjel Tavo, kryebashkiaku i Himarës, si dhe ministrat Igli Hasani dhe Pirro Vëngu. Gjithashtu në garë përfshihen edhe deputetët Arben Pëllumbi, Erion Braçe, Eduart Shalsi dhe Toni Gogu.

Ndërsa në listën e zonjave përfshihen ish-kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministret Anila Denaj, Albana Koçiu dhe Delina Ibrahimaj.

Kryeministri Edi Rama u shpreh se gjithsecili do të matet sipas detyrës, ajo do të përbëhet nga të zgjedhurit e drejtpërdrejtë nga Asambleja, Sekretarit ekzekutiv dhe drejtuesit e qarqeve.

Në fjalën e tij, Kryeministri propozoi edhe dy nënkryetarë dhe sekretarin e Asamblesë. Si kandidatë për zv.kryetarë të Asamblesë janë propozuar Ilva Gjuzin dhe Besa Spaho, ndërsa për Sekretar Tonid Bejleri, aktualisht nënkryetar i bashkisë së Shkodër.

Ndërkohë mësohet se Rama ka hequr nga lista e kryesisë emrat e Olta Xhaçkës, Mimi Kodhelit, Ditmir Bushatin dhe Blerina Gjylametit.