AKTUALITET, 8 Shtator 2024, 09:02

"Gati për të ndërtuar skuadrën tonë të re", Rama njofton mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS-së

"Gati për të ndërtuar skuadrën tonë të

Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një foto nga salla ku do të mbahet mbledhja e Asamblesë Kombëtare e PS-së.

“Me këtë pamje nga salla ku sot në Durrës do të zgjedhim ekipin drejtues të Partisë Socialiste, e do të nisim punën për të ndërtuar skuadrën tonë të re përfaqësuese PS2030 për SHQIPËRINË2030”, shkruan Rama në rrjet.

Mbledhja e Asamblesë së PS-së nis punimet në orën 11:00, ndërsa priten mesazhet që do të përcillen nga Kryeministri.

Njoftimi për mbledhjen e Asamblesë

Mbështetur në Statutin e PS, neni 37, pika 5, ju njoftojmë se më datën 08.09.2024, ora 11.00, në sallën e Hotel FAFA Durrës, zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS me rend dite:

1. Hapja e mbledhjes dhe miratimi i Rendit të ditës.

2. Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

3. Zgjedhja e organeve drejtuese të PS.

Çfarë pritet

Asambleja Kombëtare e PS ka 350 anëtarë, të cilët do të votojnë për anëtarët e Kryesisë, por edhe piramidën drejtuese të kësaj partie.

Një nga pikat e paralajmëruara ka të bëjë me përcaktimin e drejtuesve politikë të PS-së në Qarqe, të cilët do të organizojnë dhe drejtojnë punën sa i takon fushatës zgjedhore në qarkun që do të caktohen.

Dhe po kështu në këtë mbledhje Asambleje theksi pritet të vihet në ri-energjizimin e PS-së, projekti që pritet të kthehet në kryefjalën e socialistëve, ndoshta duke zëvendësuar atë të Rilindjes.  Në Kongresin e socialistëve, Kryeministri ka vënë theksin pikërisht te ri-energjizimi, madje nuk nguroi që të shprehte hapur mbështetjen e tij, ndaj të rinjve.

Rama në disa deklarata publike e ka vënë theksin në ndërmarrjen e disa reformave thelbësore që do të mundësojnë anëtarësimin e vendit në BE në 2030. Dhe po kështu është ndalur gjatë në arritjet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Lidhur me mbledhjen e Asamblesë së PS, janë paralajmëruar në media disa skenarë, përfshi këtu edhe paraqitjen e një projekti të ri nga Kryeministri Edi Rama, pikërisht në kuadrin e ri-energjizimit.

Dhe po kështu janë paralajmëruar skenarë nga ai i ndryshimeve në përbërjen e drejtuesve politikë në qarqe dhe deri në nivelet qeverisëse.

Në fillim të shtatorit, Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar, në një nga ato proceset që konsiderohen si analiza e punës dhe përcaktimi i objektivave.

Gjithsesi gjithçka do të zbardhet me fjalën që do të mbahet nga Kreu i PS-së, ndërsa ajo që dihet është se motorët e fushatës duket se do të ndizen, pa humbur kohë, ndërsa socialistët do të synojnë mandatin e 4-t rradhazi qeverisës.