AKTUALITET, 8 Shtator 2024, 11:23

Rama flet në Asamble: Unë dhe figurat kryesore të PS-së do të jemi në listën e hapur të kandidatëve për deputetë

Rama flet në Asamble: Unë dhe figurat kryesore të PS-së do

Kryeministri Edi Rama, në fjalën para anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së, duke iu drejtuar 135 anëtarëve të rinj të Asamblesë, tha se i kanë një borxh të madh Kongresit që i zgjodhi në këtë detyrë.

“Duhet t’ua ktheni këtë borxh të gjithë delegatëve që ju zgjodhën për të qenë anëtarë të Asamblesë.

Dhe këtë borxh duhet ta ktheni duke punuar me dinjitet”, tha Rama, teksa i uroi mirëseardhjen.

Rama tha se për 6 muaj do të zbresë në fushë skuadra jonë përfaqësuese. “Skuadra jonë do të jetë e përbërë nga 187 anëtarë, 140 e hapur për tu zgjedhur nga populli dhe 47 në listën e mbyllur të partisë”, tha Rama.

Ai u shpreh se në listën e hapur do të jenë të gjithë ata që kanë disa mandate, përfshi edhe vetë Kryeministrin.

Rama tha se në listën e mbyllur mund të jenë Sekretari i Përgjithshëm, që ka një detyrë specifike, apo ai i Diasporës, si dhe pjesa dërrmuese do të jenë ata që do të kenë 1 mandat ose të rinj dhe të reja.

Pjesë nga fjala

Ju uroj mirëseardhjen atyre 135 ndër ju që janë ulur për herë të parë në këtë forum të lartë. Konsiderojeni praninë tuaj një nder të posaçëm dhe një borxh të madh që ia keni Kongresit që iu dha votën, përpuqini t’ia ktheni këtë borxh të gjithë anëtarëve të familjes sonë politike duke e kryer me dinjitet në komunitet detyrën e përfaqësuesit të Asamblesë. E nderuar asamble kombëtare e PS, sot hapim një kapitull të ri, nga ky stacion ku do përmbyllim proceset e brendshme duke votuar ekipin e ri drejtues dhe do nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 të qeverisjes të PS.

Në bazë të ligjit të ri zgjedhor, pjesëtarët e përfaqësuesit tonë do jenë 187, 140 prej tyre në listën e hapur dhe 47 në listën e mbyllur të partisë. Është e udhës të ndaj me ju që sot se më  e mira është që deputetët me më shumë se 1 mandat pa përjashtuar drejtuesit politikë të qarqeve ku bëj pjesë edhe unë personalisht të jenë me garë të hapur, ndërsa listën e mbyllur mund të jenë vetëm pak prej tyre që do kenë detyra specifike koordinuese si sekretari i përgjithshëm, apo drejtuesi i ri politik i diasporës. Pjesa kryesore e listës së mbyllur do jenë deputet me vetëm një mandat dhe të rinj e të reja.