AKTUALITET, 23 Korrik 2025, 19:51

Qeveria zgjeron rolin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, do të kontrollojë lejet e ndërtimit

Qeveria zgjeron rolin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, do

Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të mbikëqyrë edhe lejet e ndërtimit në kompetencë të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit, përmes kontrolleve në terren dhe monitorimit të sistemeve të kamerave.

Këshilli i Ministrave miratoi ndryshime në vendimin e 2015-s, për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Agjencisë, me qëllim forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe zbatimit të rregullave për zhvillimin e territorit.

Agjencia do të përgatisë raporte përkatëse mbi këto kontrolle dhe do të informojë Këshillin Kombëtar të Territorit dhe Ujit, si dhe institucionet e tjera përgjegjëse.

Krahas rolit mbikëqyrës, Agjencia do të angazhohet edhe në organizimin e aktiviteteve promovuese si ekspozita, panaire dhe veprimtari të tjera kombëtare e ndërkombëtare, me synim nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe përfshirjen e arkitekturës moderne në planifikimin territorial.

Gjithashtu, përmes këtij vendimi, Agjencia fiton të drejtën të financojë ose bashkëfinancojë projekte që lidhen me zhvillimin e territorit dhe promovimin e arkitekturës moderne dhe inovative. Zbatimi i vendimit do të ndiqet nga vetë Agjencia e Zhvillimit të Territorit, ndërsa vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.