AKTUALITET, 23 Korrik 2025, 17:22

Dogjani, nën akuzë për fshehje pasurie, GJKKO kalon për gjykim dosjen ndaj deputetit të PD

Dogjani, nën akuzë për fshehje pasurie, GJKKO kalon për

Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe ka vendosur kalimin për gjykim të dosjes ndaj deputetit demokrat Asllan Dogjani, i akuzuar për “mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë”.

Fillimisht, çështja ishte kthyer nga gjykata për plotësime hetimore, por tashmë është vendosur zhvillimi i procesit në themel.

Sipas hetimeve të SPAK, Dogjani ka fshehur mënyrën e pagesës për një apartament rreth 100 metra katrorë në Tiranë. Deputeti pretendon se e ka përfituar pronën nëpërmjet një marrëveshjeje në këmbim të ofrimit të shërbimeve të konsulencës juridike për kompaninë ndërtuese.

Megjithatë, organi i akuzës thotë se apartamenti është blerë kundrejt një shume prej rreth 126 mijë eurosh të paguar cash, e cila nuk është deklaruar në formularët e pasurisë.

Dogjani, nga ana e tij, ka mohuar akuzat dhe ka deklaruar se kallëzimi penal është bërë nga ndërtuesi Ilirjan Çelaj, me të cilin ka pasur përplasje ligjore më herët, pasi e ka denoncuar për “uzurpim të hapësirës publike” përpara pallatit ku banon.

Procesi gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi mënyrën reale të përfitimit të pronës dhe vërtetësinë e deklarimeve të deputetit.