TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë turke në Stamboll, i shoqëruar nga Drejtori i Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe Drejtori për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi.
Delegacioni shqiptar u prit në një takim të ngrohtë nga homologu turk, Guvernatori Mahmut Demirtaş, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Turqisë. Gjatë takimit u vlerësua lart partneriteti i qëndrueshëm dhe strategjik mes dy institucioneve, me theks në forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, antiterrorizmit, luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe sulmeve kibernetike.
Guvernatori Demirtaş përgëzoi drejtorin Proda për qasjen e tij moderne dhe të vendosur për transformimin e Policisë shqiptare në një forcë më efikase dhe profesionale. Ai konfirmoi se Policia turke mbetet një partner i palëkundur në mbështetjen e reformave dhe forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit.
Nga ana e tij, drejtori Proda prezantoi vizionin për një polici të përqendruar te shërbimi ndaj qytetarit, profesionalizmi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në përballjen me sfidat moderne të sigurisë.
Përfaqësuesit e të dy palëve theksuan se bashkëpunimi është gjithëpërfshirës dhe konkret në fusha si lufta kundër narkotikëve, arrestimet dhe ekstradimet ndërkombëtare, menaxhimi i migracionit dhe trajnimi i punonjësve të Policisë.
Në përfundim të vizitës, delegacioni shqiptar vizitoi edhe Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh me zhvillimet më të fundit teknologjike në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.