AKTUALITET, 3 Dhjetor 2023, 14:09

Qeveria fshin postimin për të gjetur zëvendësin e Ilir Beqajt, bën me urgjencë VKM-në e re

Qeveria fshin postimin për të gjetur zëvendësin e Ilir
Ilir Beqaj dhe Edi Rama

"Error 404" është një fotografi me të cilën shqiptarët janë familjarizuar tashmë. Ajo është pamja, që shfaqet kur mediat e ndryshme fshijnë lajmet. Në disa raste lajmet fshihen se janë të pasakta. Por në disa raste të tjera arsyet janë më pak ortodokse dhe lidhen me ndërhyrjet e fuqishme apo me çantat e cashit që qarkullojnë.

Por mediat nuk janë të vetmet që fshijnë postimet. Error 404 ka infektuar edhe Këshillin e Ministrave, organin më të lartë të pushtetit ekzekutiv të shtetit.

Qeveria fshin postimin për të gjetur zëvendësin e Ilir

 

Fotoja më sipër është shpallja zyrtare e qeverisë, që hap aplikimet për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës. Pasi qëndroi pak ditë në faqen zyrtare të kryeministri, njoftimi zyrtar u fshi. Arsyet se pse nuk kanë lidhje me ndërhyrjet apo me çantat cash. Qeveria e fshiu postimin sepse përdhunoi ligjin.

Rrobaqepësi “Kryeministria”

Në tetor të vitit 2021 qeveria shqiptare miratoi vendimin për ngritjen e Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, që ndryshe njihet si SASPAC. Pjesë e vendimit për ngritjen e agjencisë, e cila menaxhon të gjitha fondet e huaja për Shqipërinë, ishin dhe kriteret që duhet të përmbushte drejtuesi i saj.

Në pikën 2 të kreut të tretë, vendimi sanksiononte se “Drejtori i Përgjithshëm i SASPAC duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet, ku 7 prej tyre në fushën e ekspertizës dhe/apo të administrimit publik.”

Mbi bazën e këtyre kritereve në atë kohë, qeveria emëroi Ilir Beqajn në krye të agjencisë që menaxhon ndihmën e huaj. Por dy vjet më vonë situata ndryshoi. Zoti Beqaj u morr nën hetim nga SPAK për koncesionin e sterilizimit dhe në datën 18 nëntor ai dha dorëheqjen nga posti i tij. Rrjedhimisht SASPAC mbeti pa drejtues.

Fill pas dorëheqjes së zotit Beqaj, qeveria shpalli në faqen e saj zyrtare njoftimin për aplikim për përzgjedhjen e drejtuesit të ri të SASPAC duke kërkuar nga kandidatët që të përmbushnin kriteret ashtu siç ishin përcaktuar në vendimin e vitit 2021. Ky është linku i shpalljes zyrtare në faqen e qeverisë https://www.kryeministria.al/newsroom/47847-2/

Qeveria fshin postimin për të gjetur zëvendësin e Ilir

Por pak ditë më vonë, dikush u kujtua se personi që kanë paracaktuar për t’u emëruar në krye të SASPAC nuk i ka 15 vjet eksperiencë pune. Rrjedhimisht postimi u fshi. Por nuk mbaron këtu.

Në datën 23 nëntor qeveria u mblodh me urgjencë për të ndryshuar VKM, përkatësisht kriteret që duhet të përmbushte drejtuesi i SASPAC. Pika që detyronte qeverinë të emëronte në krye të kësaj agjencie një person me 15 vjet përvojë punë nga të cilat 7 vjet në fushën e administrimit publik u ndryshua.

Rrjedhimisht neni u formulua tekstualisht: Aplikanti duhet të ketë përvojë pune jo më pak se 7 vjet. Vendimi i ri, që ndryshoi kriteret mban datën 23 nëntor. Qeveria ishte mbledhur vetëm një ditë më parë dhe të gjitha vendimet e saj mbajnë datën 22 nëntor. Për këtë u mblodh enkas një ditë më vonë ose është miratuar me procedurën e vendimit qarkullues.

Shqetësohet Brukseli

Ajo që ka ndodhur me zgjedhjen e kreut të ri të SASPAC në fakt dëshmonë filozofinë që qeverisë gjithë jetën publike të vendit. Nuk zgjidhet fituese sipas kritereve që përcakton ligji, por qepet ligji sipas kritereve të fituesit të paracaktuar. Kjo ndodh rëndom me tenderat publikë dhe në shumë fusha të tjera të qeverisjes.

Por veprimet qesharake të qeverisë për zgjedhjen e kreut të ri të SASPAC nuk kanë kaluar pa u vënë re nga partnerët. Një burimi nga zyra e Bashkimit Europian në Tiranë i tha Kapitali.al se Brukseli është shumë i shqetësuar me atë që po ndodh në zgjedhjen e kreut të ri të Agjencisë së Programimit Strategjik.

Sipas tij, kjo situatë po monitorohet me kujdes, ndërkohë që partnerët kanë mbetur të habitur nga fakti se si qeveria shqiptare përdrodhi kriteret për pozicionin më të rëndësishëm të administratës publike, njeriun që do të menaxhojë të gjitha fondet e huaja për Shqipërinë.

Shqetësimi në Bruksel rëndohet edhe nga eksperiencat negative që BE ka përjetuar me fondet e saj në Shqipëri. Rasti i fondeve IPARD është ai më i ndjeshmi, ku abuzimet masive nga qeveria shqiptare me paratë që BE jep për bujqësinë e detyruan Brukselin të merrte një vendim të papreçedentë duke i bllokuar ato.

Këtë herë dardhat nuk u hëngrën pas kurrizit, por dolën sheshit institucionalisht. E sigurtë është se drejtuesi apo drejtuesja e re e SASPAC do të ketë përvojë punë pak më shumë se 7 vite. Sepse kjo e detyroi qeverinë të fshijë postimin dhe të dhunojë ligjin.

Tani çështja është a mund shkojë SASPAC në SPAK? Nëse po, Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë dhe Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike do të duhet të jepnin disa shpjegime të sikletshme para prokurorëve. /Kapitali.al