AKTUALITET, 3 Dhjetor 2023, 10:50

Kaloi 26 kg kanabis drejt Greqisë, lihet në burg ish-shefi i Kufirit në Korçë

Kaloi 26 kg kanabis drejt Greqisë, lihet në burg ish-shefi i Kufirit

Ish-shefi i sektorit të kufirit në policinë e Korçës, Stiljan Pasho është lënë në burg. Pasho shfrytëzoi detyrën e tij në intervale të ndryshme kohore por në datë 27 nëntor ka favorizuar një shtetas të kalojë kufirin pa iu nënshtruar kontrollit duke kaluar drejt Greqisë 26 kg lëndë narkotike. Pasho është përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit.

Shefi i sektorit të kufirit në policinë e Korçës, Stiljan Pasho u arrestua më 30 nëntor 2023 nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me akuzën se ka ndihmuar kalimin e një ngarkese me 26 kilogramë drogë e cila është kapur në Greqi në datën 28 nëntor.

Pasho ka urdhëruar vartësit për mos kryerjen e kontrollit në mjetin ku pas bashkëpunimit me policinë greke u sekuestruan 26 kg lëndë narkotike e nisur nga Shqipëria. Më 28 nëntor policia greke njoftoi arrestimin e 36-vjeçarit për trafikimin e 27- pakove me kanabis të papërpunuar, me peshë totale 26 kilogramë.

Droga ishte transportuar në një shtëpi ndërkohë që nga hetimet, rezultoi se kishte hyrë në Greqi nga Shqipëria më 27 nëntor 2023 në orët e mëngjesit. Automjeti i përdorur ishte përshtatur për fshehjen e pakove me drogë në depozitën e impiantit të gazit. Gjatë kontrollit, policia greke sekuestroi edhe 3 mijë euro dhe 3 telefona celularë.

“Në vlerësimin tim ka një tejkalim të logjikës së dyshimit të arsyeshëm të veprës penale. Që kjo vepër penale të ekzistojë, duhet të ketë pasur dijeni që subjekti të ketë pasur dijeni që personi të ketë lëndë narkotike në makinë, dijeni e cila në këtë fazë është thjesht e supozuar”, tha avokati i tij, duke shtuar se mund të jetë një veprim i pakujdesshëm i kryekomisarit dhe se ky i fundit nuk ka pasur asnjë lidhje me personin.

“Jo vetëm ka mohuar dijeninë e lëndës narkotike, por nuk e pranon dot në pozitën ku ndodhet pasi nuk e ka menduar kurrë diçka të tillë”, theksoi avokati, duke shtuar se ai nuk ka pasur dijeni të ketë patur lëndë narkotike.