AKTUALITET, 12 Prill 2025, 12:05

Qëlloi me armë në drejtim të banesës së dy vëllezërve, arrestohet 30-vjeçari me precedent në krimet kundër jetës. U denoncua edhe nga Berisha

Qëlloi me armë në drejtim të banesës së dy

Blutë e Komisariatit të Vorës si dhe forcat "Shqiponja" kanë arrestuar një 30-vjeçar pasi akuzohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së dy vëllezërve, ngjarje e ndodhur në tetor 2023.

A.C ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim dhe rezulton me precedent të mëparshëm penale në krimet kundër jetës/armëmbajtjes pa leje.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë në bashkëpunim me Forcën e Posaçme 'Shqiponja', bazuar në informacionet e marra nga inteligjenca policore dhe pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe ndaluan në kuadër të operacionit policor 'Over' shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar A.C, 30 vjeç, banues në Vorë", njoftoi policia.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” të kryera në bashkëpunim.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetasin L. L., në tetor të 2023, në Domje, pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së 2 shtetasve (vëllezër). Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.



Denoncimi nga Berisha

Në shtator 2021 ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë publike denoncimin e një qytetari i cili ka ngritur akuza ndaj Cenës, atëherë si djali i kryetarit të PS Vorë,  njëkohësisht punonjës i IKMT, duke deklaruar së bashku me dy persona të tjerë kanë qëlluar me armë zjarri dhe kanë plagosur dy persona.

Në mesazhin e postuar në faqen zyrtare të tij në facebook, Berisha shkruan se Cena shoqërohej dhe nga një person me precedent penal.

Mesazhi i qytetarit dixhital! 

Pershendetje Zoti Berisha, fillimisht dua t'uroj shendet dhe lumturi ne familje. Une qe po ju shkruaj jam nje qytetar i shqetesuar dhe demtuar diten e enjte rreth ores 23:30 ne qafe kashar rruges rinasit disa persona midis tyre nje punonjes i gardes se republikes Z.Adriatik Cena djali i Kryetarit te PS dhe njekohesisht punonjes i Ikmt Bashkia Vore Z.Ismail Cena bashke me nje person tjeter i quajtur Luan Lama i denuar me pare per grabitje dhe mashtrim na kane nderprere rrugen duke qelluar me arme duke plagosur dy shoket e mi ku aktualisht njeri ndodhet ne spitalin ushtarak ne gjendje jo te mire. Policia e shtetit ka informacion te plote per keto dy persona por asgje nuk eshte thene ne media per personat ne fjale. E kam fjalen per forcat renea qe rrethuan zonen naten e enjte sepse policia e Vores nuk futet dot pershkak te postoblloqeve private qe personat ne fjale ngrene ne hyrje te fshatit duke ushtruar presione dhe dhune psikologjike e fizike ndaj personave qe hyjne ne fshat. Ju lutem postojeni sepse asnje person tjeter nuk e ngre kete shqetesim tonin pasi policia dhe krimi jane bere nje e pandare.