TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka dorëzuar sot kërkesën zyrtare tek kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, për të përjashtuar deputetin Gazment Bardhi për 30 ditë, pas incidentit gjatë seancës plenare të 16 tetorit 2025.
Sipas grupit parlamentar, gjatë diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës dhe raportimit të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone arrogante, ndërpreu folësin dhe përdori fjalë fyese ndaj kryetarit të Kuvendit. Këto veprime, sipas PS-së, përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare, duke penguar vijimin normal të seancës dhe të drejtën e fjalës të deputetëve të tjerë.
Kryetari i Kuvendit kishte marrë masa disiplinore të përshkallëzuara, duke i tërhequr vëmendjen, hequr të drejtën e fjalës dhe duke kërkuar largimin nga seanca, por Bardhi refuzoi të dilte.
Në kërkesën e dorëzuar, PS bazohet në nenet e Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Sjelljes së Deputetit, duke kërkuar që Gazment Bardhi të përjashtohet për 30 ditë dhe të thirret mbledhja e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore.
“Në seancën e datës 16 tetor 2025, gjatë zhvillimit të diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës, ku konkretisht po raportonin Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deputeti Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone arrogante, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare.
Veprimet e qëllimshme për të penguar zhvillimin normal të seancës, krijuan kaos në sallë, duke bllokuar vijimin e punimeve dhe penguar të drejtën e fjalës të deputetëve të tjerë.
Kryetari i Kuvendit, në zbatim të Rregullores, mori masa disiplinore të përshkallëzuara ndaj deputetit Bardhi, duke i tërhequr vëmendjen, më pas duke i hequr të drejtën e fjalës dhe në fund përjashtimin nga seanca plenare. Edhe pas kërkesës së përsëritur të Kryetarit të Kuvendit për të lënë sallën e seancave plenare, deputeti Bardhi, në shkelje të Rregullores, refuzoi të dilte; duke u bërë kështu pengesë për vijimin normal të seancës.
Deputeti Gazment Bardhi, brenda sesionit parlamentar, ka kryer në mënyrë të përsëritur shkeljet e parashikuara në nenin 65/1, pika 1, të Rregullores së Kuvendit. Në këto kushte, referuar Rregullores së Kuvendit:
Bazuar në nenin 63, pika 1, germa d) dhe nenin 65/1, pika 1 (dhe pika 6, germa c) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 3, germa ç), dh), dhe e), neni 6, neni 8, pika 2, germa b) dhe neni 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, parashtrojmë kërkesën si më poshtë:
Kërkojmë marrjen e masës disiplinore të përjashtimit 30 ditë ndaj deputetit Gazment Bardhi, sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 6, germa c).
Thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”-thuhet në kërkesë.