AKTUALITET, 17 Tetor 2025, 19:18

Barazia gjinore/ Qeveria "zbythet" pas histerisë për "gjininë e tretë", organizatat e grave thirrje Ramës: Mos ndrysho ligjin!

Barazia gjinore/ Qeveria "zbythet" pas histerisë për

Ulërimat histerike që shkundën nga themelet televizionet shqiptare, gjatë muajve të fundit, pas propozimit të ligjit për barazinë gjinore, duket se nuk shkaktuan vetëm panik se mos krijohet një gjini e tretë, (apo largqoftë 72 gjini, siç paralajmëron pastori më i ditur që kemi edhe për punët e Biblës, por sidomos për punët e ligjit) apo se mos njeriu identifikohet si majmun, shkaktuan konfuzion të thellë edhe te mazhoranca që na qeveris.

Kjo sepse kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili duket sikur ka zbritur nga nje planet tjetër dhe nuk e dinte që ligjin e ka propozuar qeveria e Edi Ramës, ka depozituar plot 22 amendamente, çka ngre pikëpyetje, se qeveria ose nuk e ka kuptuar fare se çfarë ka propozuar që në fillim, ose nuk e kupton se përse po anullon ligjin që propozoi po vetë.

Në fakt, shpjegimi është i thjeshtë dhe nuk ka të bëjë aspak me ligjin (e shkretë).

Duke qenë se socialistët, si propozues të ligjit, asnjëherë nuk dolën të shpjegojnë qëllimin e tij dhe përse ai do ti shërbente promovimit të barazisë gjinore, kjo i hapi rrugë të gjitha llojeve të spekulimeve, që nga frika (irracionale) e pastorëve për përhapjen masive të transxhenderizmit nëpër kopshte dhe shkolla, te frika jashtëzakonisht domethënëse e instruktorëve të palestrave për infektimin e plotë të njeriut me ideologji majtiste-pro sorosiste-marksiste-liberale-globaliste-sataniste-katër putrake-anti trampiste-anti njeri-anti komb-anti fe-anti biologji, deri te shuarja e plotë dhe përfundimtare e rracës shqiptare. Në shumicën e studiove televizive, filloi një “shqyerje” e çdo njeriu që tentonte të sqaronte ligjin, duke lënë të shastisura sidomos disa zonja eksperte, të pakta në numër, që pasi u akuzuan se me ligjin për barazinë gjinore, po shkatërronin gjithë rracën shqiptare, u zhdukën të lebetitura nga ekranet (duke përjashtuar këtu sigurisht Xheni Karajn që është objekt i zakonshëm i këtyre lloj "shqyerjeve" dhe nuk tronditet më).

Rezultati? Thuajse i gjithë populli e besoi ardhjen e apokalipsit gjinor, mazhoranca ndërhyri me shpejtësi dhe asgjësoi me stil, ligjin e vet, jo duke e tërhequr, por duke e bombarduar me amendamente, të cilat efektivisht i “kastrojnë” qëllimin.

Mirëpo, kur u mendua se Shqipëria "shpëtoi" nga 72 gjinitë (që siç thamë i ka identifikuar një për një, pastori më i ditur që kemi), disa organizata të grave, të cilat duhet thënë se kanë qenë totalisht të fjetura në debatin publik, u kujtuan që duhet të reagojnë për të mbrojtur ligjin dhe kanë shkruar një letër, ku i kërkojnë në formë lutje Edi Ramës, të reflektojë dhe të miratojë ligjin pa ndryshime! 

Më poshtë kërkesa e organizatave të grave, që ka thuajse zero shans të merret parasysh pasi do të kërkonte anullimin e anullimit që Edi Rama i bëri ligjit në formën fillestare, gjë që është e vështirë të ndodhë, por meqenëse kjo kërkesë është përpiluar nga organizatat, lexojeni më poshtë të plotë! Aty më në fund, pas disa muajve debate të fuqishme, do të gjeni edhe shpjegimin se përse do t'ju shërbente sidomos grave ky ligj! 

 Barazia gjinore/ Qeveria "zbythet" pas histerisë për

Barazia gjinore/ Qeveria "zbythet" pas histerisë për