AKTUALITET, 17 Tetor 2025, 19:18

Mbështetje nga sheshi “Skënderbej” për ish-udhëheqësit e UÇK-së, Rama tjetër mesazh: Liria ka emër!

Mbështetje nga sheshi “Skënderbej” për

Mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora u mblodhën sot në sheshin “Skënderbej” në Tiranë për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët mbahen në paraburgim në Hagë.

Portretet e ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit u shfaqën krah bustit të heroit kombëtar Gjergj Skënderbeu, ndërkohë që mijëra protestues jehuan me thirrjet “liri dhe drejtësi për çlirimtarët”.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foton e katër ish-drejtuesve të UÇK-së dhe pamje nga sheshi “Skënderbej”, i veshur me flamujt kombëtarë të Shqipërisë e Kosovës dhe me simbole të UÇK-së, ku qytetarë nga të gjitha trojet etnike kërkuan njëzëri drejtësi për ish-krerët e UÇK-së.

“Liria ka emër”, u shpreh Rama krahas fotove të ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Kryeministri ka deklaruar më herët mbështetjen e plotë për organizimin e kësaj proteste gjithëkombëtare në Tiranë, ndërsa është shprehur se do t’i bashkohej kësaj proteste si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të ishte i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj.

Me moton “Liria Ka emër” kjo protestë bashkoi në sheshin “Skënderbej” qytetarë nga Shqipëria, Kosova dhe diaspora, të cilët jehuan me thirrje kombëtare për lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

E cilësuar si një protestë jopolitike, “Liria ka emër” ka bashkuar në sheshin “Skënderbej”, veç veteranëve të UÇK-së edhe studentë, politikanë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, personalitete nga fusha të ndryshme dhe qytetarë që shprehin mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta e sotme u organizua në Tiranë nga veteranët e UÇK-së, dhe është protesta e tretë e organizuar gjatë këtij viti në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Protesta e parë u organizua në Prishtinë në 7 gusht dhe e dyta në Hagë në 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin.

Organizatorët kanë paralajmëruar vijimin e protestave në Shkup dhe qytete të tjera në të gjitha trojet etnike.

Prej 3 prillit të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.