AKTUALITET, 18 Qershor 2026, 22:55

"Protestë gjigande, kërkohet ndryshim rrënjësor!"/ Agron Shehaj: Rama në vështirësi, duhen menjëherë zgjedhje të parakohshme!

"Protestë gjigande, kërkohet ndryshim rrënjësor!"/

Kryetari i partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" në MCN TV, ka deklaruar se Shqipëria duhet të shkojë menjëherë në zgjedhje të parakohshme dhe se vendi ka nevojë për një ndryshim rrënjësor. 

Shehaj tha se ideja e qeverisë teknike nuk mund të funksionojë në Shqipëri, pasi atë duhet ta votojë Rama dhe kjo nuk ka gjasa të ndodhë. 

"Janë patetikë, diskutime të njëjta dhe injorojnë atë që po ndodh. Të flasësh për protestën, si disa protesta dhe ta zvogëlosh, kjo është një revoltë popullore, kundër sistemit të vjetër. Ka të rinj dhe të reja që u ka ardhur në majtë të hundës dhe kanë pushtuar bulevardin, sheshin, duan ndryshim rrënjësor. Të bësh analizën, dikush është i majtë, i djathtë, mjedisor, por ajo që i bashkon është revolta popullore kundër një sistemi të kalbur. Secili prej tyre është përballur në mënyra të ndryshme me këto padrejtësi.

Por aty janë të gjithë kundër sistemit. 19 ditë protesta gjigande, nuk kanë ndodhur kurrë në këto 35 vjet. Janë njerëz që shkojnë aty pa asnjë lloj interesi, duan ndryshim rrënjësor.

Midis protestuesve ka diskutim, se çfarë do të ndodhë pas dorëheqjes së Edi Ramës. Ka një dëshirë, duan qeveri teknike, tranzitore, me intelektualë, njerëz të ndershëm. Do të ishte shumë mirë dhe shumë bukur, në një vend perëndimor si Gjermania, Franca dhe Anglia. Por ne jemi në Shqipëri. Fatkeqësisht kjo në Shqipëri është e pamundur, jo se nuk e dua unë.

Po them, se është e pamundur. Një qeveri teknike duhet votuar nga Edi Rama që ka mazhorancën. Rama, Balla dhe Balluku të votojnë qeveri të pavarur nga ata? Është absurde ta mendosh një gjë të tillë. Prandaj them, është e kotë në këndvështrimin tim të presim një qeveri teknike. I bëjmë një dëm vendit.

Ne duhet të shkojmë sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme. Ky është momenti më i vështirë që ka parë Edi Rama. Do të ishte gabim shumë i madh nëse duke kërkuar qeveri teknike, pasi ky është momenti i duhur, Rama është në vështirësi, është fryma e njerëzve, po i dhamë 3 muaj, 6 muaj, një vit, rrezikojmë ti japim mundësi të mbledhë veten, të hakmerret, rrezikojmë ti bëjmë nder atij. Qeveria teknike fatkeqësisht është praktikisht e pamundur", tha Shehaj.