AKTUALITET, 18 Qershor 2026, 18:08

Dyshime të reja për vdekjen e 21-vjeçarit shqiptar në Itali, del dëshmia për një makinë të dytë: Mund të jetë goditur nga një “Audi”

Dyshime të reja për vdekjen e 21-vjeçarit shqiptar në

Ngjarja tragjike që i mori jetën 21-vjeçarit shqiptar Samir Fermaca në Itali, po merr një tjetër kthesë, teksa një dëshmi e re hedh dyshime mbi dinamikën e aksidentit.

Fillimisht u mendua se gjithçka ishte e qartë për mënyrën si i riu humbi jetën, por tani në skenë ka dalë një dëshmitar okular, i cili pretendon se në aksident mund të jetë përfshirë edhe një automjet i dytë që u largua nga vendi i ngjarjes.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së shtunës, më 13 qershor, në një rrugë rrethore, ku 21-vjeçari po udhëtonte si pasagjer në motorin që drejtohej nga kushëriri i tij 26-vjeçar.

Sipas rindërtimit fillestar, dy të rinjtë ishin nisur nga semafori i Campagnola-s në drejtim të autostradës A4, kur u parakaluan nga një SUV Audi. Gjatë rikthimit në korsi, drejtuesi i makinës u kishte prerë lehtë rrugën.

Kjo solli reagimin e kushëririt, i cili e ofendoi drejtuesin e SUV-it dhe më pas e parakaloi nga e djathta. Në momentin kur mjeti dhe motori ishin paralel, 21-vjeçari goditi me këmbë pasqyrën e makinës, duke bërë që motori të humbiste ekuilibrin.

Si pasojë, ai ra në asfalt dhe mbeti pa ndjenja, ndërsa kushëriri u ngrit pa lëndime.

Megjithatë, prokurorja Giulia Angeleri ka ngritur dyshime për momentet e fundit para vdekjes së të riut. Deri tani, bazuar në dëshmitë e kushëririt dhe drejtuesit të SUV-it, në një zonë ku mungojnë kamerat e sigurisë, besohej se viktima kishte goditur kokën në asfalt.

Por një dëshmitar tjetër, që po udhëtonte pas tyre, pretendon se një makinë e dytë kaloi shumë pranë 21-vjeçarit ndërsa ai ishte i shtrirë në rrugë.

Për këtë arsye, prokuroria ka urdhëruar kryerjen e autopsisë, për të verifikuar nëse automjeti tjetër mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij, qoftë edhe duke e prekur lehtë.

Autopsia pritet të kryhet në mënyrën më pak invazive të mundshme, për të lejuar edhe dhurimin e organeve të viktimës.