AKTUALITET, 26 Tetor 2022, 13:47

Projektbuxheti 2023, Ibrahimaj: Parashikojmë rritje ekonomike deri në 2,6%

Projektbuxheti 2023, Ibrahimaj: Parashikojmë rritje ekonomike deri në

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj prezantoi në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.

Ibrahimaj tha se projektbuxheti 2023 materializon 2 objektiva kryesore, zbutjen e krizës globale, duke mbështetur shtresat në nevojë të shoqërisë dhe atë të energjisë elektrike, duke mos ndryshuar çmimin e energjisë. Objekti i dytë është vijimi i konsolidimit fiskal të financave publike. Buxheti gjithashtu materializon një sërë projektesh investimesh.

Gjatë prezantimit të buxhetit Ibrahimaj pohoi se parashikohet rritje ekonomike 2.6% për 2023, me rritje nga sa ka parashikoi FMN në vizitën e muajit tetor. Ministria e Financave parashikon që rritja ekonomike do të mbështetet nga konsumi, investimet dhe sektorët e industrisë, veçanërisht shërbimet.

“Goditja globale nga kahu i ofertës për furnizimin me energji dhe mallra të tjerë bazë e shkaktuar nga fillimi i luftës Rusi -Ukrainë, ka pasur dhe do të vijojë të ketë efekte negative në ekonominë tonë. Deri tani ekonomia e ka përballuar mirë këtë goditje, veçanërisht duke e parë atë në kontekstin e problemeve që po kalojnë shumë shtete.

Rritja ekonomikë në gjysmën e parë të vitit 2022 ishte relativisht e fortë, 4.2% e gjeneruar nga kërkesa e brendshme konsumi, investimet, dhe kërkesa e huaj neto. Papunësia ra më tej me 11.3%, ndërsa punësimi u rrit 4.3% nga viti në vit. Deficiti i llogarisë korrekte u ngushtua me 10% nga viti në vit, si pasojë e rritjes së fortë të, mallrave dhe shërbimeve dhe remitancave. Kemi pasur rritje me 35% në flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte.

Për vitin 2022, kemi rishikuar për lart projeksionin e rritjes ekonomike në 3.7% nga 3.2% që parashikonim në fillim të luftës. Në të njëjtin parashikim konkludoi edhe FMN në fund të misionit të tij, rreth 2 javë më parë.

Për vitin 2023, bazuar në skenarin tonë bazë parashikojmë rritje reale prej 2.6%. Rritja do të gjenerohet kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet, por në masë marzhinale pritet të kontribuojë pozitivisht edhe kërkesa e huaj neto e mbështetur nga rritja e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë parashikimi i FMN për vitin tjetër është 2.2%.

Nga optika e kërkesës agregate rritja reale ekonomike për vitin tjetër parashikohet të gjenerohet nga rritja reale e konsumit final prej 1.3%, e investimeve 4.5% dhe eksportet neto do të rriten 3.6%. Ndërsa nga oferta agregate parashikohet që rritja reale e produktit të brendshëm bruto të jetë e shtrirë në bazë të gjerë ku pritet rritje në kahun pozitiv të gjithë sektorëve të ofertës, si: bujqësi, industri, ndërtim dhe shërbimeve. Sektori i shërbimeve pritet të jetë gjeneruesi kryesor i rritjes ekonomike me kontribut 1,3 pikë përqindje, pra gjysmën e rritjes ekonomike të parashikuar për vitin e ardhshëm.

Projeksionet për GDP-në nominale janë përqasur me ato të perspektivës ekonomike globale të FMN në tetor 2022, të publikuar pak ditë më parë. Çështja kryesore makroekonomike gjatë kësaj periudhe, si për ekonominë tonë dhe kudo tjetër ka qenë inflacioni i lartë i shkaktuar kryesisht nga goditja në ofertën globale të disa mallrave bazë. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se inflacioni në ekonominë tonë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, apo me mesataren e BE-së, ka qenë dukshëm më i ulët”,-shpjegoi Ibrahimaj.