AKTUALITET, 14 Maj 2023, 09:36

Probleme të shumta me pajisjet e identifikimit elektronik, pezullohet procesi edhe në Surrel ku voton kryeministri Rama

Probleme të shumta me pajisjet e identifikimit elektronik, pezullohet

Ka nisur me shumë probleme procesi i identifikimit elektronik të zgjedhësve në shumë qendra votimi në vend.

Nga 6 qendrat e votimit në shkollën Dora d’Istria në tre prej tyre nuk është hapur ende procesi i votimit.

Mësohet se në njërën prej tyre nuk punon pajisja e identifikimit elektronik, në një tjetër nuk punon kamera dhe nuk është paraqitur operatori i pajisjes elektronike.

Probleme me votimin elektronik janë shfaqur edhe në shkollën “Dëshmorët e Lirisë” në kryeqytet.

Pritet që pas vonesave pritet të zëvendësohet pajisja elektronike ose në të kundërt do të ketë një nisjen e procesit me votimin tradicional me fletë votimi.

Vonesat kanë shkaktuar radhë të qytetarëve që presin për të votuar. Ata thonë se po presin prej të paktën një ore.

“Nuk është hapur qendra e votimit. Kam dhënë qendrën e votimit në momentin që kam ardhur. Po presim në radhë”, shprehen qytetarët.

Në orët e para të mëngjesit në këtë qendër votimi ka qenë i pranishëm edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i cili ka mbikëqyrur nga afër procesin.

Teksa në shumë ZAZ nuk punon pajisja e identifikimit, duke bërë që procesi i votimit mos të nisë, e njëjta problematikë është dhe në Surrel.

Në këtë qendër votimi voton edhe kryeministri Edi Rama, i cili thuhet se do të shkojë për të hedhur votën e tij në orën 10:00.

Mësohet se në këtë qendër janë provuar 3 pajisje identifikimi, ndërsa është sjellë e katërta. Sot shqiptarët votojnë për kryebashiakët e rinj.

Problematikat e para janë shfaqur edhe në Durrës, pasi në disa qendra votimi nuk ka nisur ende. Shkak është bërë problrematikat me kamerat me pajisjet PEI.

Probleme me pajisjen elektronike ka pasur edhe në qendrat e votimit në qarkun e Shkodrës.