AKTUALITET, 2 Tetor 2023, 18:08

Probleme me financat, ujësjellësit marrin 30 mln lekë për të shlyer borxhet

Probleme me financat, ujësjellësit marrin 30 mln lekë për

Ujësjellësit do të marrin 30 mln lekë subvencione. Paratë u vinë në ndihmë shoqërive, kryesisht për të shlyer borxhet e papaguara.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar metodologjinë që do të përdoret për ndarjen e tyre, duke përjashtuar ato ndërmarrje që nuk përmbylin procedurat e bashkimit brenda vitit 2023.

Deri më tani janë 3 shoqëri rajonale që nuk janë bërë pjesë e agregimit, Tirana, Vlora dhe Shkodra.

Për shoqëritë që do të përfitojnë paratë, thuhet se prioritet i shpenzimit të tyre është likuidimi i detyrimeve emergjente, të cilat pengojnë veprimtarinë normale të shoqërisë. Këtu përfshihet shlyerja e detyrimeve të prapambetura për sigurimet shoqërore, pagat, energjinë elektrike dhe shpenzime të domosdoshme për nisjen e operimit të shoqërisë rajonale, sipas EuroNews.

Ndërkaq, pjesa tjetër e buxhetit do të menaxhohet nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, e do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike.

Gjatë vitit 2022 qeveria shpërndau 360 milionë lekë subvencione për kompanitë e ujësjellës-kanalizime.

Ndërkohë, nevoja për të gjithë sektorin është 2.84 mld lekë.