AKTUALITET, 2 Tetor 2023, 16:31

“Administratat bashkiake të tejmbushura”, Meta: Maja e ajsbergut të farsës së 14 majit, punësimi në këmbim të votës

“Administratat bashkiake të tejmbushura”, Meta: Maja e

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta deklaroi sot se pasojat e punësimeve elektorale sot bien mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë. Pas publikimit të shifrave nga BIRN, sipas të cilave në prag të zgjedhjeve të 14 Majit u punësuan 1544 punonjës të rinj ose 9% e administratës, Meta deklaron se fenomeni i punësimit të patronazhistëve dhe individëve në këmbim të votës është vetëm maja e ajsbergut të farsës, deformimit dhe pabarazisë së këtyre zgjedhjeve.

“Ndërkohë që Shqipëria tkurret nga shpopullimi, administratat bashkiake janë tejmbushur nga punësimet elektorale. Vetëm në 19 Bashki, në prag të zgjedhjeve të 14 Majit u punësuan 1544 punonjës të rinj ose 9% e administratës, duke konfirmuar se fenomeni i punësimit të patronazhistëve dhe individëve në këmbim të votës është vetëm maja e ajsbergut të farsës, deformimit dhe pabarazisë së këtyre zgjedhjeve.

Pasojat e punësimeve elektorale sot bien mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë. Ata po detyrohen të paguajnë më shumë taksa për të mbuluar kostot dhe organikat e tejfryra të administratës bashkiake. Shqipëria sot ka 61 njësi vendore numri i punonjësve është rreth 36.000, ndërsa në vitin 2015 numri i tyre ishte 19.625 edhe pse numri i njësive vendore ishte 391.

Kjo tejmbushje e administratës lokale do të thotë vetëm taksa, taksa, taksa për qytetarët tanë. Në Tiranë, qytetarët do duhet të paguajnë disafish taksën e banesës, ndërsa u është shtuar dhe taksa e sigurimit të detyrueshëm. Kjo nuk është ajo që qytetarët tanë meritojnë. Këshilltarët e Partisë së Lirisë do të ngrenë fort zërin në mbledhjet e Këshillave Bashkiakë. Transparenca dhe Llogaridhënia do të jenë në çdo moment kryefjala e betejës sonë”, deklaron Meta.