AKTUALITET, 15 Tetor 2023, 15:10

Presidentja e Komisionit Europian mbërrin në Rinas për Samitin e Procesit të Berlinit, në aeroport e pret Spiropali

Presidentja e Komisionit Europian mbërrin në Rinas për Samitin e
Spiropali dhe von der Leyen

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë. Von der Leyen është pritur në aeroportin e Rinasit nga ministrja Elisa Spiropali dhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.

“Kënaqësi e veçantë të prisja sot në Tiranë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit, Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Ky samit është një tjetër event i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë, i cili zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, liderëve të vendeve anëtare të BE-së si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe organizmave ndërkombëtare të mbi 25 vendeve”, shkruan Spiropali.

Kujtojmë që Presidentja e Komisionit Europian do të zhvillojë një takim sot  me Presidentin e Republikës dhe më pas një konferencë me kryeministrin Edi Rama.