AKTUALITET, 15 Qershor 2022, 11:11

Presidenti Meta dekreton dy gjyqtarët e rinj të Gjykatës së Lartë, ja emrat

Presidenti Meta dekreton dy gjyqtarët e rinj të Gjykatës së

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar emërimin e Margarita Buhalit dhe Enton Dhimitrit si gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

"Pasi u njoh me vendimmarrjet respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikat dokumentare të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt 2020, me vullnetin e plotë që Gjykata e Lartë të plotësohet me të gjithë trupën e nevojshme të saj, ku me mijëra dosje e fate qytetarësh presin gjykimin prej vitesh, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së për dy kandidaturat e propozuara, ka vendosur të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimeve të KLGJ-së."- thuhet në njoftimin e presidencës.

Meta ka pranuar propozimet e KLGJ-së, dhe ka vendosur që Margarita Buhali të emërohet gjyqtare e Gjykatës së Lartë si dhe ka vendosur që Enton Dhimitri të emërohet gjyqtar në Gjykatën e Lartë.

"Së bashku me këto 2 emërime të reja, Gjykata e Lartë, nga sot bëhet me 15 anëtarë, nga 19 anëtarë, që kjo Gjykatë duhet të ketë në përbërjen e saj, sipas vendimmarrjes së KLGJ-së. Pas 5-vitesh pamundësie për të ushtruar plotësisht funksionet themelore të saj, me këto 2 (dy) emërime të reja, mund të thuhet se Gjykata e Lartë ka dalë nga zona e rrezikut dhe e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin sublim sipas Kushtetutës dhe ligjit."- shkruan presidenca në njoftimin për mediat.