AKTUALITET, 5 Tetor 2025, 13:44

Po ndiqej nga Shqiponjat, 31-vjeçari i armatosur përplas disa makina dhe plagos policin me bashkëshorten (VIDEO)

Po ndiqej nga Shqiponjat, 31-vjeçari i armatosur përplas disa makina

Një ngjarje e rëndë është raportuar pak më parë në afërsi të Saukut, ku një person i armatosur, i identifikuar si Imer Krrashi, po ndiqej nga forcat Shqiponja. Ai ka përplasur disa makina, përfshirë një motor. Si pasojë e përplasjes, një polic jashtë shërbimit së bashku me bashkëshorten kanë mbetur të lënduar.

Polici ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si pasojë e përplasjes. Autori është arrestuar nga forcat policore, teksa iu gjet edhe arma.

"“Rreth orës 12:30, tek Liqeni i Thatë, Forca e Posaçme “Shqiponja” i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. K., 31 vjeç, pasi kishin marrë informacion se 31-vjeçari qarkullonte me armë zjarri.

Pas ndalimit, në momentin që shërbimet e Policisë i kanë bërë të ditur se ndaj tij dhe automjetit do ushtrohej kontroll, 31-vjeçari ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke perplasur disa automjete dhe 1 motomjet. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, të cilët ndodhen në spital.

Pas një ndjekje intensive u bë ndalimi i automjetit. Gjatë kontrollit të automjetit i është gjetur një armë zjarri pistoletë”, thuhet në njoftimin e policisë.