AKTUALITET, 31 Mars 2023, 13:22

"Po ç'paskeni qenë, o rubla"/ Rama kërkon hetime për Kryemadhin: Verifikimi i letrave të pista, tregues që drejtësia të provojë që nuk funksionon me dy standarde

"Po ç'paskeni qenë, o rubla"/ Rama kërkon hetime

Kryeministri Rama ka reaguar për të ashtuquajturën përfshirje të Monika Kremadhi në financimet ruse. Rama shkruan se verifikimi i këtyre parave të pista do të shërbejë si  prova që drejtësia nuk funksionon me dy standarde siç përflitet rëndom.

“Po ç'paskeni qenë o rubla që na i morët me radhën me motrën e me vëllezërit opozitarë! Po ato konto bankare e shoreve çfarë janë vallë se ata u mbinë në gojën e tyre, po i paskan pasur të tyret shejtanët e shejtanet…

Verifikimi ligjor i atyre letrave të pista dalë në mexhelis në ekranet e mëdha kombëtare është domosdoshmëri dhe drejtësia duhet të provojë se nuk punon me dy standarde, siç punojnë altoparlantët e llojllojshëm të lukunisë kinse opozitare që për këto tmerre as nuk bëzajnë fare!”- shkroi Rama.

 

Reagimi i Ramës u bë një ditë pasi dolën disa të dhëna që thuhej se përfshinin Monika Kryemadhin, ish-kryetare e LSI, në financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës.

Sipas Top Channel, ekziston  një e mail me të dhëna sensitive që flasin për përfshirjen e Monika Kryemadhit, ish-kryetare e LSI, në financime dhe pagesa të dyshimta nga kompani off shore të kontrolluara nga biznesmenë rusë të naftës. "Emaili është anonim, i dërguar nga platforma proton, por pas verifikimit dokumentet janë autentike. Ato tregojnë detajet dhe provat e lidhjeve ruse, të Kryemadhit me kompanitë që janë denoncuar si sponsorë të partisë së Vladimir Putinit në Rusi"-deklaroi televizioni.

Sipas tij, dosja përmban fakte të pagesave të dyshimta, të bëra dhe të marra nga Monika Kryemadhi, politikane shqiptare dhe bashkëshortja e ish-presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta. Faktet e zbuluara tregojnë se në vitin 2017, Kryemadhi ka bërë dhe ka marrë këto pagesa të dyshimta nga llogaria e saj bankare offshore për kompanitë e kontrolluara nga biznesmenët rusë të naftës

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi reagoi dje pas lajmit të publikuar nga Top Channel mbi disa llogari bankare dhe pagesa të dyshimta nga kompani offshore të kontrolluara nga biznesmenë rusë. Ajo tha se nuk janë të vërteta duke i paralajmëruar për përballje në gjykatë.

“Me shkrime, kronika dhe TV që financohen nga para të vjedhura nga shqiptarët, ka vetëm një rrugë dhe ajo është rruga gjyqësore. Shihemi në gjykatë”-shkroi Kryemadhi.