TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.
TPZ.al është një media online e pavarur. Përpjekja jonë është të sjellim lajme, analiza dhe komente, në shërbim të interesit publik.

Dy medaljet e bronzit në Lojërat Olimpike të Parisit, që janë edhe dy të parat në historinë e Shqipërisë, si çdo gjë tjetër, kanë sjellë përplasje mes kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës, Berisha.
Sherret dhe mosmarrëveshjet mes Ramës dhe Berishës janë të zakonshme, por që ata të ziheshine dhe për medaljet që rusët i dhuruan Shqipërisë (për të cilat duhet të jemi falenderues) ishte e paparashikueshme, por duhet thënë, jo pak argëtuese.
Pas fitores së medaljes së parë nga Chermen Valiev ditën e djeshme dhe shpalljes nga Rama si një ngjarje historike, pasi ishte medalja e parë për vendin tonë në historinë e pjesëmarrjes në Lojërat Olimpike, reagoi Berisha duke e akuzuar kryeministrin si mashtrues, madje si "kreu i piramidës së mashtrimit". Berisha e quante Ramën "të neveritshëm, injorant dhe gënjeshtar". Sipas Berishës, kjo nuk ishte medalja e parë për vendin tonë, pasi i pari që ka marrë medalje është Ymer Pampuri në Olimpiadën e Mynihut.
"Për gënjeshtarin në krye të Piramidës së Mashtrimit.
Miq, sot kreu i piramdës së mashtrimit Edi Rama paraqiti medaljen olimpike të Valiev si medaljen e parë në historinë e vendit. Këtij njeriu që shet injorancë, neveri dhe gënjeshtra nga mëngjesi në darkë dikush duhet t’i kujtojë se peshengritesi legjendë, Ymer Pampuri u kthye nga Olimpiada e Mynihut 1972 me medalje të artë!", shkruante Berisha.
Mirëpo nuk kaloi shumë dhe kryeministri Rama e përgënjeshtroi kreun e opozitës, duke shpjeguar se Ymer Pampuri nuk ka marrë medalje olimpike por ka fituar në një kompeticion tjetër, që mbahej paralel me olimpiadën. Rezulton në fakt, që kjo të jetë e vërtetë, pasi Shqipëria nuk ka patur deri dje, asnjë medalje olimpike.
Mirëpo Rama nuk e la me kaq shpjegimin. Në një status të gjatë, ai flet për mizat dhe mushkonjat që ka Berisha nën kësulë, madje dy medaljet e rusëve (për të cilat duhet të jemi shumë falenderuese), gati gati i shpjegon si meritë të vendit tonë. Në fakt, kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi ata nuk janë produkt i sportit tonë, jo nga pikëpamja etnike, siç ka plasur debati idiot në rrjetet sociale, por nuk janë stërvitur dhe nuk kanë arritur suksesin për shkak të vendit tonë. Ata në plotë kuptimin e fjalës, ia kanë dhuruar Shqipërisë këto dy medalje dhe mirë kanë bërë, por kjo as e rrit dhe as e përmirëson nivelin e sportit tonë, që lë shumë për të dëshiruar, siç e dëshmon pjesëmarrja e shumë pak atletëve nga Shqipëria dhe dështimi i tyre në të gjitha kategoritë ku morën pjesë.
Ndërsa për Sali Berishën, që prodhoi një fake news, nuk është habi. E vetmja çudi është pse statusin për Ymer Pampurin nuk e ka fshirë ende, madje e ka "firmosur" me inicialet e veta dhe jo me inicialet e qytetarëve dixhitalë.
Reagimi i plotë i Ramës:
"MEDALJA E PARË OLIMPIKE DHE MIZA NËN KËSULËN POLITIKE
Dje Shqipëria fitoi medaljen e parë të historisë së saj në Lojrat Olimpike
Normalisht nuk duhet të kishte asnjë nevojë për të dhënë shpjegime sot, por ja që ne, shqipot, e kemi të vështirë të gëzohemi që të gjithë njëlloj kur Shqipëria bën një sukses.
Miza nën kësulën politike nuk na e lejon gëzimin e njëllojtë, po harbon duke zgjuar si përherë edhe mushkonjat e të shkuarës sonë të largët, të cilat e bënë Faik Konicën të shkruante dikur se shqiptarët të falin çdo gjë përveç suksesit. Fatmirësisht jo të gjithë më, sepse ka në Shqipëri prej kohësh sot, një shumicë solide, përgjithësisht të heshtur, e cila është mjaftueshëm e emancipuar për të menduar me kokën e saj e për t’iu gëzuar çdo suksesi të Shqipërisë, pa u ndikuar hiç nga tallagjarizmi masiv i kanaleve, portaleve e socialeve, e pa marrë mend hiçasfare nga shitmendësit e zhurmshëm të kënetës së madhe politiko-mediatike.
Si e gjithë kjo shumicë ku bëj pjesë, u gëzova shumë edhe unë duke parë flamurin kuqezi të ngjitej për herë të parë në shtizat e sukseseve olimpike dhe e postova fotografinë e medalistit tonë të parë olimpik në histori, pa e fshehur dot kënaqësinë e frytit të punës që qëndron pas këtij suksesi historik.
I menjëhershëm ishte rebelimi i mizës së lartpërmendur dhe mushkonjave pas saj, që u turrën ta ngrinin nga varri legjendën e peshëngritjes shqiptare, Ymer Pampurin, duke vënë kujën e nxjerrë gjuhën e infektuar, pse unë shkruajta që e mbrëmshmja ishte medalja e parë në histori. Sipas tyre e para ishte medalja e artë e Ymer Pampurit në Lojrat Olimpike të Mynihut në vitin 1972!
Por e vërteta është siç e thashë dhe siç e thotë edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, në postimin e tij të mbrëmshëm e në tabelën e tij të medaljeve në historinë e lojrave olimpike. Ymer Pampuri bëri një sukses e bujë të jashtëzakonshme duke dalë i pari në stilin e forcës (asokohe kishte tre stile gara e ngritjes së peshave), por i nënti në klasifikimin e garës olimpike të Mynihut, si rrjedhojë e rezultatit shumë më të ulët në tre stilet e kombinuara. Medalja e Ymer Pampurit nuk është medalje olimpike, por është medalja e artë në stilin përkatës në kampionatin botëror që atë vit luhej paralelisht në të njëjtën garë olimpike.
Ky fakt nuk ia heq assesi shkëlqimin paraqitjes befasuese të Ymer Pampurit në atë kohë kur Shqipërinë nuk e njihte askush dhe kur rezultati i tij në stilin e forcës i dha vendin e parë në botë në atë stil, po jo medaljen olimpike, e cila jepet gjithnjë për rezultatin e kombinuar jo për një stil të vetëm. Kaq dhe kështu është historia e paharrueshme e Ymer Pampurit, i cili po atë vit doli edhe i dyti në Europë në stilin e forcës.
Miza dhe mushkonjat prapa saj, nuk e lanë pa e vënë kujën e pa e nxjerrë gjuhën edhe për faktin se medalisti ynë i parë në histori, Chermen Valiev, është një talent nga Osetia - zona e pushtuar e Gjeorgjisë prej trupave ushtarake ruse - i cili erdhi në Shqipëri, mori nënshtetësinë shqiptare dhe derdhi shumë lotë pse një gjykim i dyshimtë i katër sekondave të fundit në ndeshjen e mëparshme, i hoqi mundësinë të garonte në finale për medaljen e arit, pasi ishte kualifikuar për në Paris duke eliminuar në mes të Stambollit kampionin olimpik turk të Lojrave të Tokios.
Padyshim që gjuhëjashtët e suksesit të madh të Shqipërisë mbrëmë, të cilët janë përgjithësisht po ata që nxjerrin gjuhën për çdo sukses ndërkombëtar e çdo progres të vendit tonë të përbashkët, jo vetëm nuk duan t’ia dinë se në kohët e sotme, në plot skuadra kombëtare të vendeve të Europës, në gjithëfarë disiplinash sportive, ka sportistë të lindur gjetkë dhe të birësuar nga vende të ndryshme për të arritur sa më shumë rezultate për flamujt e tyre, po as nuk kanë si ta dinë se çfarë gare bëhet nga federatat e komitetet olimpike për birësimin e këtyre talenteve. Dhe patjetër, nuk kam as si dhe as pse e fsheh, që fakti se Shqipërisë sot nuk ia birëson më as Greqia fqinje si deri dje, e as ndonjë vend tjetër, jetimët e braktisur nga atdheu i tyre si Luan Shabani, që u detyrua me pahirin e kushteve mjerane dhe indiferencës së injorancës sportive në pushtet në Shqipëri, që medaljet olimpike t’i synonte e t’i merrte si i birësuar nga Greqia, sepse sot, Shqipëria ka krijuar kushte optimale jo vetëm për talentet e veta në sportet individuale, po edhe pikërisht për të birësuar talente të ardhur nga vende të tjera.
Sot sportistët elitarë të ngjyrave të Shqipërisë në kompeticionet ndërkombëtare, jo vetëm shpërblehen më mirë se sa në shumë vende të Europës për rezultatet e larta në arenën e më të mirëve, po as nuk mbeten më rrugëve kur varin këpucët e garave në gozhdën e fundit të aktivitetit sportiv. Ata janë të integruar në Forcat e Armatosura të Shqipërisë, me grada sipas rezultateve, pagë deri në fund të jetës aktive, si edhe pension në bazë të gradës. Madje në këtë grup nderimi kombëtar, përfshihen edhe kampionët olimpikë të Kosovës, vajzat fantastike të trainerit gjenial Driton Kuka, i cili së bashku me të vëllanë, ka krijuar në palestrën e Pejës një oaz suksesesh mbarëbotërore.
Miza dhe mushkonjat e nënkësulës politike, kinse patriotike, e përqeshën gjuhëjashtë edhe numrin e vogël të përfaqësueses shqiptare në Paris, por nuk kanë se si ta kujtojnë dot që Shqipëria e deri para dhjetë vjetëve nuk kishte as palestra shkollash, as një pallat lojrash me dorë të standarteve europiane, as stadium për skuadrën kombëtare, të cilën e gjetëm në kushtin e tmerrshëm të FIFA-s dhe UEFA-s për t’i luajtur ndeshjet e shtëpisë jashtë Shqipërisë, që kishte një stadium për faqen më të zezë të futur në listën e zezë të UEFA-s e FIFA-s dhe që nga ana tjetër, nuk e kishte as një Komitet Olimpik Shqiptar që meritonte të quhej i tillë.
Sporti kombëtar nuk ngrihet as me frymën e shenjtë, as me dritëshkurtësinë kinse patriotike të mizës nën kësulën politike e të mushkonjave që i shkojnë mbrapa, e as thjesht e vetëm pse do një qeveri e radhës, po ngrihet me vizion e strategji afatgjatë, duke kultivuar farën e lëvizjes sportive nga moshat më të vogla dhe duke u mbështetur në partneritete të forta me Komitetin Olimpik të vendit apo Federatën e Futbollit, e cila për vetë peshën e sportit më popullor në botë kërkon dhe ha bukë veç.
Gjuhëjashtët e pandashme të rrugës sonë, nuk kanë se si të mos e konsiderojnë rastësi faktin që në dhjetë vitet e fundit kombëtarja jonë ka shkuar dy herët e vetme në histori në finalet e Europianit dhe nuk kanë se si të pranojnë që suksesi i mbrëmshëm historik i medaljes së parë olimpike të Shqipërisë, lidhet edhe me përpjekjet e përbashkëta të këtyre viteve, kur vizioni dhe puna e admirueshme e drejtuesve të lartë të FSHF-së e të KOKSH-it, janë harmonizuar me vizionin e me punën e përkushtuar të qeverisë për sportin, duke parë larg e duke bërë përditë nga një hap të vogël në një rrugë ende të gjatë.
Po natyrisht pickimet e mizës e të mushkonjave tallagjare s’janë fare problem përtej këtyre shpjegimeve të imponuara, të cilat nuk do t’i kisha shkruar nëse nuk do të më kishte neveritur keqpërdorimi i legjendarit Ymer Pampuri, që mbrëmë hyri padrejtësisht e pafajësisht në listën e gjatë të të vdekurve të këtij kombi, të cilët miza dhe mushkonjat e pavdekshme të urrejtjes e të gjelozisë në këtë vendin tonë të vogël, i ngrenë nga varri për t’i hedhur në fushën e luftrave të tyre qorre, kundër sukseseve të Shqipërisë në çdo fushë, në çdo rast dhe në çdo kohë", shkroi Rama.