AKTUALITET, 6 Nëntor 2021, 22:33

Përplasje mes grave në PD, Oriola Pampuri del krah Bashës: Vokshi, kryetare me mandat të skaduar

Përplasje mes grave në PD, Oriola Pampuri del krah Bashës:

Në Partinë Demokratike, dita ditës po thellohen përplasjet. 

Lulzim Basha ka vendosur të hapë garën për kryesimin e Lidhjes së Gruas Demokrate (LDG), forum i drejtuar nga Albana Vokshi, e cila ka artikuluar disa gjysmë-kritika ndaj tij, pas përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar. 

Tashmë në PD kemi dy kample. 

Menjëherë ka reaguar, deputetja Orjola Pampuri, që mbështet linjën e Bashës, duke u shprehur se nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e kryetarit të partisë, për të zgjedhur Kryetaren e re të LDG dhe "strukturat inekzistente drejtuese të Lidhjes".

Me një reagim në Facebook, Pampuri shkruan se ky është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre.

Më tej ajo shprehet se Albana Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes.

Kujtojmë se Albana Vokshi e ka konsideruar vendimin e Bashës, arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë (reagimi i saj më poshtë). 

Poll

Postimi i Pampurit: 

"Nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e Kryetarit Basha për të zgjedhur Kryetaren e re të LDG dhe strukturat inekzistente drejtuese të Lidhjes. Zgjedhja e kryetares së LDG-së me parimin “një anëtar, një votë” është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre.

Zonja Albana Vokshi është emëruar në ketë detyrë që në vitin 2009 nga Kryetari i PD, pa garë. Mandati i saj ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG.

Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes. Nën drejtimin e znj. Albana Vokshit, LDG nuk ka patur as Sekretare të Përgjithshme, as Nënkryetare, as Kryesi, as Këshill Kombëtar. Ky mund të jetë akti më antidemokratik që mund të bëhet ndaj një forumi politik.

Pas procesit të nisur sot nga Kryetari Basha do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH. Për këtë arsye, Kryesia e PD do duhet të miratojë edhe Statutin për funksionimin demokratik të LDG për t’i dhënë fund praktikës antidemokratike të uzurpimit të Kryetares së Lidhjes për 12 vjet, pa votë.

Suksese zonjave demokrate në këtë proces të rëndësishëm demokratik, që ndodh për herë të parë në Shqipëri dhe që do të jetë modeli më i mirë për përfaqësimin dinjitoz të grave dhe vajzave".

 

Deputetja dhe njëkohësisht Kryetarja e Lidhjes të Gruas në Partinë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar pas hapjes së garës në LDGSH, pas një vendimit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Ajo e konsideron këtë vendim arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë.

Me një postim në Facebook, Vokshi shkruan se, kjo është braktisje e anëtarësisë dhe e grave demokrate.

“Kryetari i PD-së Lulzim Basha më informoi sot se ai ka vendosur të fillojë nje proces të zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Gruas së Shqipërisë. Ai më informoi, me anë të një telefonate, edhe se ka vendosur që zgjedhja e kryetares së forumit të bëhet me një anëtar një votë.

Dëshiroj të theksoj me ketë rast:

Ndërhyrja e kryetarit të PD, duke krijuar procedura sipas dëshirës së tij dhe në shkelje të statutit të LDGSH, janë një dhunim arrogant I punës së strukurave dhe anëtareve të LDG.

Informoj publikun se LDGSH është në përfundim të procesit të anëtarësimeve, organizimit dhe zgjedhjes bazuar në Statutin e LDGSH. Janë zgjedhur drejtueset lokale të forumit të gruas, në mbi 600 grupseksione me parimin një anëtar një votë dhe në 74 degë. Pjesë vijuese e këtij procesi është gara për zgjedhjen e drejtueseve të LDG.

Zgjedhjet në LDG organizohen nga vetë forumi, sipas përcaktimeve statutore. As kryetari i PD-së, dhe asnjë komision zgjedhor i ngritur prej tij nuk mund të kenë rol në vendim-marrjen dhe menaxhimin e procesit. Drejtimi dhe vendim-marrja e forumit janë krejtësisht të shkëputura nga ato të Partisë. Asnjë drejtues i PD-së nuk ka rol në vendim-marrjen e LDG-së.

Vendimi i zotit Basha është arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë.  Qëllimi i vendimit është të shbëjë të gjithë procesin e deritanishëm të zgjedhjeve brenda LDG-së dhe të vërë nën kontroll të tij edhe forumin e gruas së PD, duke shpërfillur jo vetëm statutin, por edhe kontributin e mbi 10 mijë grave që morën pjesë në zgjedhjet e brendshme në LDGSH. Veprimi i tij është braktisje e rëndë e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Zoti Basha fatkeqësisht tani nuk i takon, nuk i pyet, nuk u merr mendim demokrateve e demokratëve për asgjë. Ky diktat është braktisje e anëtarësisë dhe e grave demokrate. Udhëheqja e Partisë duhet të flasë e bashkëpunojë me demokratët kudo ku ata janë, e jo vetëm me socialistët në Kuvend. LDGSH do të vijojë të mbështet në statutin e saj dhe parimet e themelimit të PD si forcë konservatore.  LDGSH do të vijojë procesin e zgjedhjeve në bazë të statutit të saj”- shkuan ajo.