AKTUALITET, 19 Nëntor 2025, 16:27

Përmbytje në Mirditë, rrugë dhe ura të dëmtuara nga fryrja e përrenjve, bllokohen rreth 10 fshatra

Përmbytje në Mirditë, rrugë dhe ura të dëmtuara

Reshjet e dendura në Mirditë kanë shkaktuar fryrjen e përrenjve malorë, duke dëmtuar ura, rrugë dhe duke izoluar rreth 10 fshatra.

Situata më problematike është në Jezull, ku banorët janë bllokuar pas shembjes së urës kryesore.

Kryebashkiaku Albert Melyshi dhe prefekti Taulant Malshi inspektuan zonën, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe tej kapaciteteve të bashkisë, ndaj kërkohet ndihmë urgjente nga strukturat qendrore.Edhe deputeti Gjin Gjoni kërkoi rritje fondesh për emergjencat civile në kuadër të buxhetit.

Përpos dëmeve rrugore, mbetet kritike situata e ujësjellësit të qytetit, pasi përroi i Tarazhit rrezikon tubacionet kryesore. Në një mbledhje të posaçme u vendos gatishmëri e plotë për ndërhyrje në zonat e izoluara, me prioritet sigurinë e banorëve.